
Nga çmimet te mikpritja, ja çfarë thonë pushuesit për plazhet në jug, pas fundjavës!
Dritare.net
Në fillim të muajit qershor, shumë qytetarë zgjodhën të kalojnë disa ditë pushimi në jug të Shqipërisë. Ne pyetëm ndjekësit tanë në Instagram dhe Facebook për përshtypjet e tyre – dhe morëm përgjigje të sinqerta, të drejtpërdrejta, nga përvoja konkrete në destinacione si Dhërmiu, Saranda, Borshi, Ksamilit e Vlora.
Ushqimi dhe mikpritja, vlerësime maksimale!
Pjesa më e madhe e komenteve vlerësojnë cilësinë e ushqimit dhe shërbimin në bregdetin shqiptar. “Ushqimi, uji, kushtet – mrekulli! Çmimet normale për cilësinë që ofrojnë,” shkruan një ndjekës. Një tjetër veçon: “Shërbimi edhe më i mirë se vitet e mëparshme.” Në Ksamil, një komentues ndau përvojën në një nga plazhet më të vizituara: “Te Seaa Brezze, plazh fantastik, ushqimi shumë i mirë dhe çmimet shumë normale!”
Atmosferë pozitive dhe staf mikpritës
Përveç peizazheve mahnitëse, shumë pushues përmendin se janë pritur me buzëqeshje dhe profesionalizëm. “Ngado që shikon, stafe mikpritëse edhe gjatë ecjes,” shkruan dikush. Një tjetër ndjekës në Borsh përmend një eksperiencë të veçantë: “Në Blue Days – një djalë i mrekullueshëm, e bëri eksperiencën edhe më të këndshme.”
Çmimet dhe sezoni
Disa komentues sugjerojnë që pushimet në muajt maj ose shtator janë më të leverdishme, si për çmimet ashtu edhe për temperaturat. “Ofertat i kap në maj-shtator dhe i shpëton të nxehtit ekstrem,” thotë një ndjekës me përvojë.
Disa sfida, por gjithçka përballueshme
Ndërsa komentet janë kryesisht pozitive, nuk mungojnë edhe vërejtjet. Një qytetar që ishte në Dhërmi, krahasoi situatën e trafikut me një udhëtim në Indi, për shkak të rrëmujës në rrugë, e ndikuar edhe nga ndërhyrja e pamjaftueshme e policisë.
“Parajsë” – kështu e përshkruajnë shumë Shqipërinë e Jugut
Fjalët që përsëriten më shpesh në komente janë: “Parajsë”, “Mrekulli”, “Sa e bukur je o Shqipëri”. Duket qartë që, pavarësisht vështirësive të vogla, bregdeti shqiptar vazhdon të jetë zgjedhja e parë për shumë qytetarë që kërkojnë natyrë të bukur, shërbim cilësor dhe pushime relaksuese./L.F-dritare.net

















