Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ministri Gonxhja takim me me Mbretin dhe Mbretëreshën e Spanjës!

Ministri Gonxhja takim me me Mbretin dhe Mbretëreshën e Spanjës!

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zhvilloi një takim me Mbretin e Spanjës, Felipe VI, dhe Mbretëreshën Letizia, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2026, që po mbahet në Madrid.

Gjatë takimit, ministri Gonxhja përcolli ngushëllimet më të thella për viktimat e aksidenteve hekurudhore që tronditën Spanjën javën e kaluar, ku përplasja e dy trenave me shpejtësi të lartë shkaktoi dhjetëra viktima dhe qindra të lënduar. Ai shprehu solidaritetin e Shqipërisë dhe uroi, në emër të kryeministrit Edi Rama, Qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar, një rikthim sa më të shpejtë në normalitet për Spanjën.

Në kuadër të aktivitetit, ministri Gonxhja, së bashku me ministrat e turizmit të disa vendeve pjesëmarrëse në FITUR 2026, mori pjesë edhe në foton familjare me Mbretin dhe Mbretëreshën e Spanjës.

Gjatë këtyre momenteve miqësore u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, veçanërisht në fushën e promovimit të turizmit të qëndrueshëm, forcimit të lidhjeve me tregun spanjishtfolës dhe vendet e Amerikës Latine, si dhe përfitimit nga përvoja e gjerë ndërkombëtare e Spanjës në sektorin e turizmit.

FITUR konsiderohet një nga panairet lider të turizmit në nivel global dhe një platformë kyçe për dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë sektor.

Ndërkohë, stenda shqiptare në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Madrid ka tërhequr interes të jashtëzakonshëm nga vizitorët dhe profesionistët e industrisë. Shqipëria po prezantohet përmes përvojave inovative, përfshirë realitetin virtual (VR), degustime të produkteve tradicionale, performanca artistike live, artizanat dhe elemente të traditës shqiptare të mikpritjes.

Në këtë panair, vendi ynë po promovohet si një destinacion turistik gjithëvjetor, autentik dhe gjithëpërfshirës, me synimin për të zgjeruar praninë në tregjet ndërkombëtare dhe për të forcuar imazhin e Shqipërisë si një destinacion me potencial të lartë turistik./dritare.net