Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mblidhet Komisioni i Reformës Territoriale, opozita rikthehet në tryezë pas bojkotit

Mblidhet Komisioni i Reformës Territoriale, opozita rikthehet në

Komisioni Parlamentar për Reformën Territoriale u mblodh sot pas disa javësh bojkot nga opozita, duke shënuar rikthimin e përfaqësuesve të Partisë Demokratike në diskutimet me mazhorancën.

Një ditë më parë deputetë të opozitës morën pjesë në protestën para institucioneve qendrore, ndërsa sot u ulën sërish në tryezën e komisionit për vijimin e punës mbi reformën territoriale.

Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, deklaroi se marrëdhëniet mes opozitës dhe mazhorancës mbeten të tensionuara, duke theksuar nevojën për një produkt konsensual dhe gatishmëri për të pranuar variantet e propozuara.

Nga ana tjetër, ministri Arbjan Mazniku u shpreh se reforma territoriale kërkon bashkëpunim, duke e lidhur atë edhe me procesin e integrimit evropian dhe nevojën që bashkitë të jenë më të afta për të përthithur fonde dhe projekte nga BE.

“Kemi një agjendë të ngjeshur pune, të ndërgjegjshëm për faktin që kjo reformë do ishte e mirë për vendin nëse ia dalim ta kalojmë bashkërisht. Mirëbesimi i dhënë nga mazhoranca nuk mund të jetë bllokim për punën. Kemi një dritare shumë specifike, që lidhet me integrimin e vendit në BE, na duhet që në këtë periudhë 2027-2029, të kemi bashki të afta për të funksionuar jo thjeshtë si struktura për shërbim për qytetaret e tyre, por të tërheqin financim dhe projekte nga BE për territorin e tyre”, tha Mazniku.

Mbledhja u shty për një datë tjetër, ndërsa takimi i radhës pritet të zhvillohet të hënën./K.C/dritare.net