Kuvendi i Kosovës nis seancën. LVV propozon Kurtin për kryeministër dhe Haxhiun për kryetare parlamenti
Dritare.net

Ka nisur seanca konstituive e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës. Ajo po udhëhiqet nga Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosjes si deputeti më i moshuar i Kuvendit. Ndihmë i jep Fatma Taçi nga KDTP-ja, si deputetja më e re në moshë.
Kuvendi menjëherë ka formuar Komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Anëtarë janë Adnan Rrustemi i VV-së, Përparim Gruda i PDK-së, Armend Zemaj i LDK-së, Sërgjan Popoviq i Listës Serbe, Albana Bytyqi e AAK-së dhe përfaqësues të partive të tjera të komuniteteve.
Mediat e Kosovës kanë mësuar se Lëvizja Vetëvendosje, si paria më e madhe e dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, do të propozojë Albin Kurtin për kryeministër të Kosovës dhe Albulena Haxhiun si kryetare Parlamenti.
Rendi i ditës, sipas rregullores, përmban katër pika. Kuvendi konsiderohet i konstituuar me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Rendi i ditës i kësaj seance:
1. Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,
2. Betimi i deputetëve,
3. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,
4. Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Tre nënkryetarë propozohet nga grupet më të mëdha, ndërsa dy të tjerë nga komunitetet (njëri nga serbët e njëri nga të tjerët). Gjykata Kushtetuese ditë më parë i dha të drejtë të pakufizuar Listës Serbe, si shumicë brenda komunitetit serb, që të propozojë kandidatin për nënkryetar Kuvendi edhe pas ezaurimit të të gjithë emrave të deputetëve të saj.
Këtë herë, sipas kryetarit të deritashëm Dimal Basha, ka dakordim nga partitë që votimi i nënkryetarëve të bëhet në pako.
Seancën konstituive e drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga më i riu në moshë. Në seancën konstituive nuk ka debat./K.C/dritare.net