Liderët botërorë në Mynih! Rubio paralajmëron Evropën për një epokë të re!
Dritare.net

Liderë nga e gjithë bota janë mbledhur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, një samit treditor ku në fokus janë çështjet më të ndjeshme të sigurisë globale, nga lufta në Ukrainë dhe tensionet transatlantike, te siguria në Arktik dhe zhvillimet në Venezuelë.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, paralajmëroi se bota po hyn në një “epokë të re në gjeopolitikë”, duke theksuar se ndryshimet e shpejta do të kërkojnë rishikim të rolit të vendeve dhe aleancave. Ai pritet të përsërisë edhe kërkesën që vendet evropiane të rrisin shpenzimet për mbrojtjen brenda NATO-s.
Në samit pritet të mbajnë fjalime edhe figura të tjera të rëndësishme ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, do të paraqesë qëndrimin e Pekinit për zhvillimet globale, ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer do të flasë së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbi sfidat e një bote gjithnjë e më të paqëndrueshme.
Një nga diskutimet kryesore do t’i kushtohet Ukrainës, ku presidenti Volodymyr Zelensky dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të diskutojnë perspektivën afatgjatë të vendit dhe sigurinë në rajon.
Në axhendë janë gjithashtu edhe tema të tjera të rëndësishme, përfshirë situatën në Venezuelë, ku pritet të flasë liderja e opozitës María Corina Machado, si dhe çështjet e sigurisë në Arktik, që do të diskutohen nga kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe përfaqësues të Groenlandës./E.P-dritare.net