Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Liburn Aliu emërohet drejtor i ri i Portit të Durrësit

Liburn Aliu emërohet drejtor i ri i Portit të Durrësit

Liburn Aliu, ish-ministër i Mjedisit dhe Infrastrukturës në Kosovë, është emëruar Drejtor i ri i Autoritetit Portual të Durrësit. Ky vendim, i prezantuar nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, shënon një hap të ri në vizionin strategjik për transformimin e portit në një nyje kyçe ekonomike dhe sigurie për të gjithë rajonin.

Zëvendëskryeministrja Balluku theksoi se Porti i Durrësit nuk është vetëm i Shqipërisë, por i të gjithë shqiptarëve, duke përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Ajo prezantoi projektin për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një investim që pritet të përfundojë para vitit 2030 dhe që do të jetë porti më i madh në Ballkanin Perëndimor.

“Ky port do të jetë motori ekonomik i Shqipërisë, duke prodhuar jo vetëm punësim, por një ekonomi të tërë zinxhir,” deklaroi Balluku. Një nga aspektet më të rëndësishme të këtij projekti është plani që porti i ri të shërbejë edhe si një bazë strategjike e NATO-s.

“Do të jetë një bazë e NATO-s e vendosur në zemër të Mesdheut, duke konfirmuar rolin e Shqipërisë si aleati më besnik,” shtoi ajo.

Kjo lëvizje e pozicionon Shqipërinë si një faktor kyç për sigurinë rajonale. Emërimi i Liburn Aliut shihet si një lëvizje strategjike, duke sjellë në krye një figurë me përvojë të gjatë politike dhe profesionale nga Kosova. Balluku e përshkroi Aliun si një profesionist me njohje të thellë politike dhe gjeopolitike të rajonit, cilësi të domosdoshme për të menaxhuar një projekt me përmasa të tilla.

“Porti i Durrësit është porta hyrëse e Korridorit të Tetë, një korridor ekonomik, energjetik dhe sigurie,” tha ajo. Në fjalën e tij, drejtori në largim, Kreshnik Bajraktari, falënderoi stafin për bashkëpunimin dhe theksoi arritjet gjatë mandatit të tij, përfshirë rritjen e performancës tregtare dhe avancimin e projekteve strategjike si marina turistike dhe porti i ri. Liburn Aliu, në fjalën e tij të parë si drejtor, u shpreh i nderuar për besimin e dhënë.

Ai theksoi se porti i Durrësit është porti i gjithë shqiptarëve dhe një pikë strategjike për lidhjen e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut me tregjet ndërkombëtare.

“Kjo ndërvarësi do t'i bëjë vendet tona më të zhvilluara ekonomikisht dhe më të sigurta,” deklaroi Aliu, duke shtuar se do të punojë për realizimin e shpejtë të portit të mallrave dhe atij të NATO-s. Gjatë ceremonisë, u zbuluan edhe dy projekte të tjera madhore: avancimi i projektit për hekurudhën Durrës-Prishtinë, që do të kalojë përmes Shkodrës dhe Gjakovës, dhe finalizimi i një kontrate me gjigantin gjerman të logjistikës, Lidl, për ngritjen e një qendre të madhe rajonale në Porto Romano. Kjo qendër pritet të jetë një motor i fuqishëm jo vetëm për transportin, por edhe për zhvillimin e bujqësisë shqiptare./L.F-dritare.net