Kthesa e madhe demografike: 25,600 emigrantë të kthyer në një vit
Dritare.net

A po shkon Shqipëria drejt fundit të eksodit masiv? Sipas Profesor Arjan Gjonçës, të dhënat e fundit tregojnë sinjale të forta të një ndryshimi ciklik. Në një intervistë për emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, Profesor Arjan Gjonça, pedagog në London School of Economics (LSE) dhe ekspert i njohur i demografisë, ka shpalosur një analizë të thellë mbi tendencat e reja demografike në Shqipëri. Demografi i njohur prezantoi statistika që sfidojnë narrativën mbizotëruese të shpopullimit. Për herë të parë në dekada, vitet 2020-2024 po shënojnë një rritje të ndjeshme të numrit të emigrantëve që kthehen në atdhe.
"Vetëm në vitin 2023, kemi pasur rreth 25,600 të kthyer," theksoi Gjonça, duke cituar të dhëna të kryqëzuara nga INSTAT dhe vrojtime të organizatave ndërkombëtare. Ai shpjegoi se ky nuk është thjesht një kthim i pensionistëve që duan të kalojnë pleqërinë në vendlindje. Profili i të kthyerve ka ndryshuar rrënjësisht: bëhet fjalë për individë të moshës 35 vjeç e lart, të cilët kanë kaluar të paktën një dekadë në emigracion, kanë akumuluar kapital dhe përvojë, dhe tani kthehen për të investuar.
Faktorët që nxisin këtë kthim janë të shumtë. Së pari, zhvillimi i turizmit ka krijuar mundësi reale për biznes në qytete si Vlora, Durrësi, Berati dhe Tirana.
"Në Berat, për shembull, 69% e familjeve kanë lidhje me migracionin, dhe një pjesë e madhe e bizneseve në Kala janë hapur nga emigrantë të kthyer," ilustroi Gjonça. Së dyti, rritja e pagave në sektorin privat dhe publik në Shqipëri, e kombinuar me koston e jetesës që mbetet më e ulët se në Perëndim, e bën rikthimin financiarisht të leverdishëm për ata që kanë një profesion ose kapital fillestar.
Gjonça gjithashtu analizoi ndryshimin e gjeografisë së kthimit, duke vërejtur se shumica vijnë nga Greqia dhe Italia, vende ku kriza ekonomike dhe tregu i punës kanë qenë më të ashpra. Ai nënvizoi se ky fluks i ri kapitali është një motor i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, pasi paratë e sjella nuk janë më dërgesa për konsum (remitanca), por investime direkte në agrobiznes, turizëm dhe shërbime. Megjithatë, ai paralajmëroi se qeveria duhet të krijojë lehtësira burokratike dhe siguri ligjore për pronën, që ky trend të mos jetë thjesht një fluskë e përkohshme, por një bazë e qëndrueshme për zhvillim ekonomik afatgjatë./L.F-dritare/net
