Na ndiqni edhe në

Shqip

Ky është sekreti i jetëgjatësisë së shqiptarëve! Flet profesor Arjan Gjonça!

Ky është sekreti i jetëgjatësisë së

Në një analizë të detajuar për emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, profesor Arjan Gjonça nga London School of Economics ka hedhur dritë mbi një nga fenomenet më interesante demografike të Evropës Juglindore: jetëgjatësinë e lartë të shqiptarëve në kushte të vështira ekonomike. Duke iu referuar studimeve të tij të doktoraturës dhe artikujve të botuar në revistat prestigjioze si "The Lancet" në fund të viteve '90, Gjonça shpjegoi konceptin e "Good health at low cost" (Shëndet i mirë me kosto të ulët).
Sipas profesorit, Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve si Kosta Rika, Kina apo Kuba, të cilat kanë arritur tregues shëndetësorë të krahasueshëm me vendet e pasura, pavarësisht GDP-së së ulët. Ai argumenton se ky "paradoks" nuk është i rastësishëm. Dy faktorë kryesorë kanë luajtur rol historik: dieta ushqimore dhe struktura sociale.



"Dieta mesdhetare te ne ka qenë e imponuar nga varfëria, por ka rezultuar shpëtimtare," shpjegon Gjonça. Konsumi i lartë i frutave, perimeve dhe vajit të ullirit, kombinuar me mungesën e ushqimeve të procesuara gjatë periudhës së komunizmit dhe tranzicionit të hershëm, ka mbrojtur popullatën nga sëmundjet kardiovaskulare.
Përveç dietës, Gjonça thekson rëndësinë e jashtëzakonshme të kohezionit social. Ndryshe nga shoqëritë perëndimore ku individi është shpesh i izoluar, në Shqipëri mbështetja familjare dhe shoqërore shërben si një "mjek" i parë për shëndetin mendor dhe fizik. "Kur ke një hall, e ndan me komshiun, me vëllain, dhe stresi ulet. Kjo ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e zemrës," thekson ai.
Profesori gjithashtu analizoi tranzicionin demografik pas vitit 1990. Ai vuri në dukje se rënia e lindshmërisë në Shqipëri nuk është thjesht pasojë e tranzicionit, por një trend linear që ndjek zhvillimin, emancipimin e gruas dhe edukimin, duke e përafruar Shqipërinë me trendet e vendeve si Italia apo Spanja./dritare.net