
Kontrata e PD-së. Kadilli: Nuk janë të zotë të rregullojnë marrëdhëniet e zbrazin xhepat!
Dritare.net
Fatbardh Kadilli i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTv foli për kontratën 6 milionë dollarëshe të PD-së, për të lobuar në SHBA që të rregullojnë marrëdhëniet e kësaj partie me në krye Berishën i cili mbanë statusin non-grata, me administratën amerikane.
Kadilli tha se PD-ja tani nuk lufton më me moral, por me para dhe se blerja e asaj kontrate e ka dëmtuar rëndë politikisht partinë demokratike.
“PD-ja ka humbur shumë nga kjo kontratë. Pretendimi kryesorë i asaj kontrate është që avokatët apo lobistët amerikan do të ndihmojnë ose do të ndikojnë në heqjen e statusit non-grada të Sali Berishës dhe si rrjedhojë të rregullojnë marrëdhëniet e PD-së me SHBA-në.
Ajo që duhet kuptuar është se Partia Demokratike është institucion politik që është krijuar me një investim të madh amerikan nëse kjo parti nuk është e zonja që të rregullojë këto marrëdhënie të krisura duhet që të rregullojë politikën jo të zbrazi xhepat e të blejë kontrata, dekorata, fotografi apo ndonjë deklaratë të dalë jashtë konteksti për ti krijuar popullit idenë që ka një raport politik mes PD-së dhe SHBA-ve.
Çdo raport i tillë është politik dhe nuk mund të blihet prandaj them që janë harxhuar para kot, PD-ja ka humbur moral dhe kanë humbur edhe politikisht.”- u shpreh Fatbardh Kadilli/E.P-dritare.net

















