
Këshilla për agjërimin, nga Hoxhë Ahmed Kalaja!
Dritare.net
30 ditët e ardhshme janë më të rëndësishmet për besimtaret myslimane. Sot nis muaji i bekuar i ramazanit, ndërsa besimtarët për më shumë se 15 orë çdo ditë do të privohen nga ushqimi, pijet dhe sërë veprimesh te tjera. Sipas librit të shenjtë të myslimanëve, Kuranit, muaji i ramazanit dhe agjërimi janë momentet që e afrojnë më shumë njeriun me Krijuesin. Hoxhë Ahmed Kalaja, në një intervistë për Dritare TV, dha këshillat e tij për besimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit.
“Këto ditë sjellin në vëmendje disa gjëra për të cilat njeriu duhet të kujtohet për to. Për shembull, mirësia e të ushqyerit. Ne hamë dhe pimë gjatë gjithë vitit, por rrallë falënderojmë.
Këto ditë na shërbejnë pikërisht për të vlerësuar mirësinë e të ngrënit e të pirit. Edhe të ndjerit i uritur apo i etur, ka të mirat e saj. Duke qenë mirë njerëzve nuk u shkon mendja për të varfrit.
Muaji i ramazanit pritet shumë nga besimtarët sepse profeti thotë: “Zoti çdo natë fal njerëzit në këtë muaj të begatë”, dhe gjithkush dëshiron që të arrijë këtë mirësi.
Agjërimi për besimtarët nuk është vetëm të qëndruarit pa ngrënë apo pa pirë. Kjo është vetëm një nga sfidat e vogla të Ramazanit. Sfida më e madhe e njeriut këto ditë, është që bashkë me njeriun, të agjërojë zemra e tij, shpirti, gjymtyrët e tij. qëllimi i agjërimit është të edukohet njeriu, të jemi në parë njerëz të mirë, të edukuar dhe të dalim nga agjërimi me raporte më të mira jo vetëm me Zotin, por mbi të gjitha edhe me njerëzit. Agjërimi padyshim na bën njerëz më të mirë, nëse bëhet duke iu përmbajtur rregullave.
Kush nuk ka mundësi të agjërojë, të moshuarit, të sëmurët, mund të mos agjërojnë. Edhe gratë shtatzëna, e kanë mundësinë e zgjedhjes, nëse duan të agjërojnë apo jo.
Ajo që e prish agjërimin është marrja e ushqimit, pijes nëpërmjet rrugëve të të ushqyerit. Po kështu edhe marrëdhëniet bashkëshortore, gjatë agjërimit”, u shpreh Hoxhë Ahmed Kalaja në Dritare TV./L.F-dritare.net

















