
Kjo është drama më e madhe e shqiptarëve! Flet Gëzim Tushi
Dritare.net
Në një intervistë në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në DritareTV, sociologu dhe politologu i njohur Gëzim Tushi ofroi një analizë të mprehtë për realitetin social shqiptar, duke e cilësuar tranzicionin si dramën më të madhe që ka përjetuar shoqëria jonë pas viteve '90.
“Në vitin ’90 kur filluan të iknin të gjithë, na shkoi në mendje edhe ne që të iknim nga Shqipëria. Por i thashë gruas: ‘Tranzicioni do zgjasë pesë deri në 10 vjet. Do stabilizohet sistemi, do vendoset sistemi i meritës’,” kujton Tushi. “Tani kur u tregoj miqve, më thonë: ‘Ku e ke atë librin?’ Dhe unë u them me humor: ‘Është në Vlorë, ku kam lënë dhe shpresat.’”
Sipas profesorit, tranzicioni politik dhe ekonomik në Shqipëri është përmbyllur pjesërisht, por “tranzicioni moral nuk ka mbaruar”. Ai thotë se vendi nuk rrezikon më kthimin në diktaturë, por krizat më të thella janë sociale dhe qytetare:
“Ne kemi probleme me formimin e qytetarisë, me familjen, me shkollën, me raportet me njëri-tjetrin. Kemi nevojë për një përpjekje kolosale për të rregulluar strukturat bazë të jetës sonë shoqërore.”
Profesor Tushi e përshkroi metaforikisht gjendjen e shoqërisë shqiptare si një kostum të shqepur:
“Jemi si një shoqëri që i janë shqepur tegelat. Dhe kjo tregon që kemi probleme të thella me institucionet që quhen ‘amortizatorë të stabilitetit social’.”
Ai thekson gjithashtu rolin e individit në këtë gjendje, duke vënë theksin te mungesa e reflektimit personal:
“Ne kemi një përfytyrim pak etatist. Gjithmonë presim nga shteti. Po përse nuk e kthejmë optikën brenda vetes sonë? Edhe ne kemi përgjegjësi për familjen, për komunitetin, për kulturën tonë sociale.”/K.C/dritare.net

















