Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Historiani Kasmi publikon dokumentet: Ja si Deva bashkëpunoi me serbët për të ndihmuar gjermanët!

Historiani Kasmi publikon dokumentet: Ja si Deva bashkëpunoi me serbët

Prej disa ditësh debati është ndezur lidhur me restaurimin apo jo të një prej objekteve më të veçanta të trashëgimisë kulturore në Mitrovicë, shtëpisë së Xhafer Devës, ish-ministrit të Brendshëm dhe mbështetësit të politikave të Hitlerit. Në emision “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga, historiani nga Kosova Nexhemedin Spahiu është përplasur me debate të forta me historianin Marenglen Kasmi për sa i përket figurës së Xhafer Devës, ku kanë pasur qëndrime të ndryshme nga njëri-tjetri. Sipas Spahiut, në Kosovë Xhafer Deva konsiderohet hero dhe një figurë pozitive. Historiani Kasmi duke iu përgjigjur Nexhmedin Spahiut, publikoi në emisionin “Shqip” dokumente që dalin për herë të parë dhe dëshmojnë bashkëpunimin e Xhafer Devës me serbët në tetor 1944 për të ndihmuar gjermanët.

“Xhafer Deva në Shqipëri shihet si bashkëpunëtor numër një i Gestapos dhe ministër i gjermanëve. Kam një faksimile nga ditari luftarak i komandës së lartë gjermane për periudhën tetor 1944 kohë kur Xhafer Deva u largua si ministër i brendshëm nga Shqipëria dhe erdhi në Kosovë dhe bëhet fjalë për një raport të datës 29 tetor të vitit 1944 gjithmonë nga komanda gjermane. Është një takim i cili bëhet nga një nënkolonel gjerman sëbashku me çetnikun dhe komandantin e korpusit Markoviç, bashkë me ministrin e brendshëm Deva, një major dhe më tej dhe një përfaqësues gjerman që ishte i ngarkuari për Shqipërinë. Qëllimi i kësaj tryeze të përbashkët mes gjermanëve, çetnikëve dhe Xhafer Devës ishte se si të rregullonin bashkëpunimin shqiptaro-serb të forcave nacionaliste sepse kishin të dyja palët forca të armatosura. Dalim në një element të rëndësishëm, Deva njihet si patriot dhe ka luftuar dhe ka bërë gjithçka kundër serbëve, atëherë si mundet të pranohet në këtë kohë që të ulesh në tryezë në marrëveshje dhe të tentosh të rregullosh marrëdhëniet me çetnikët serbë me qëllim për të ndihmuar gjermanët. Po ashtu ka pasur indicie për takime të tjera. Ky fakt del për herë të parë dhe nuk është përmendur askush dhe për këtë dokument kam kërkuar gjatë në arkivat gjermane në Fraiburg.”, u shpreh historiani Kasmi./Dritare.net