Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Hetim ndaj vip-ave në Turqi, arrestohet edhe aktori Can Yaman

Hetim ndaj vip-ave në Turqi, arrestohet edhe aktori Can Yaman

Aktori i njohur turk Can Yaman është arrestuar dhe më pas është liruar në Turqi në kuadër të një hetimi të gjerë për trafikim dhe konsum të lëndëve narkotike, që përfshin personazhe të njohur të botës së artit, medias dhe jetës mondane në Stamboll. Lajmi është raportuar nga mediat turke.

Yaman, shumë i njohur edhe për publikun shqiptar dhe italian falë roleve të tij protagonistë në seriale të suksesshme televizive, u arrestua së bashku me gjashtë persona të tjerë, mes tyre edhe aktorja Selen Gorguzel. Të arrestuarit iu nënshtruan testeve në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të verifikuar nëse kishin konsumuar drogë, si dhe llojin dhe kohën e përdorimit të saj.

Hetimi po udhëhiqet nga Zyra për Kontrabandën, Trafikun e Narkotikëve dhe Krimet Ekonomike pranë Prokurorisë së Përgjithshme të Stambollit. Në kuadër të operacionit, policia kreu kontrolle gjatë natës në nëntë klube nate në qytet, ku u arrestuan disa shpërndarës droge dhe menaxherë lokalesh, të dyshuar për shitje të substancave narkotike brenda ambienteve të tyre.

Sipas mediave turke, ndaj Can Yaman nuk kishte një urdhër arresti të mëparshëm nga prokuroria. Ai dyshohet se është ndaluar pasi gjatë kontrolleve në një nga lokalet e bastisura i janë gjetur substanca narkotike. Pas procedurave të verifikimit, aktori është liruar.

E njëjta dosje hetimore, e hapur prej disa javësh, ka përfshirë më herët mbi 20 persona të njohur, përfshirë vip-a, gazetarë dhe figura të botës së spektaklit. Në këtë hetim më herët është përmendur edhe emri i Sadettin Saran, president i klubit të futbollit Fenerbahçe.

Sipas gazetës turke Hurriyet, arrestimet janë nxitur nga një informacion i siguruar paraprakisht nga autoritetet. Ndërkohë, kontrolle janë kryer edhe në ambientet e hotelit Bebek, në pronësi të producentit Muzaffer Yildirim, i cili ndodhet në burg që prej 5 janarit, i akuzuar për organizim festash private ku tolerohej përdorimi i drogës.

Operacioni mbetet në zhvillim, ndërsa autoritetet turke nuk kanë dhënë ende detaje të mëtejshme zyrtare mbi përfundimet e hetimit./L.F-dritare.net