Produkte në magazinë me myk, AKU pezullon baxhon dhe ambientin e KMY-së në Tiranë!
Dritare.net

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar aktivitetin e baxhos “Bonum” dhe subjektit “KMY”, si dhe produktet e tyre, pasi u konstatuan shkelje të rënda të kushteve higjieno-sanitare. Të dyja bizneset janë gjobitur me nga 300 mijë lekë secila.
Gjatë kontrollit në baxhon “Bonum”, AKU bllokoi 328.7 kilogramë djathë të bardhë dhie, pasi në ambientet e përpunimit u evidentua prani myku, ndryshku dhe lagështie.

Ndërkohë, në subjektin “KMY” u konstatuan shkelje në procesin e shkrirjes së produkteve, i cili kryhej në kundërshtim me normat teknike. Si pasojë, AKU bllokoi në total 738 kilogramë mish pule dhe pezulloi aktivitetin në ambientin ndihmës.
Sasia e bllokuar përfshin:
588 kg fileto pule “Super Frango”
150 kg gjoks pule “Pechungon”
Sipas njoftimit zyrtar, nga këto produkte janë marrë mostra për analiza mikrobiologjike dhe sasia do të qëndrojë e bllokuar deri në daljen e rezultateve laboratorike./dritare.net