
Hapen aplikimet për ‘Mësues për Shqipërinë’ 2025, Rama: Aplikimet përmes e-Albania!
Dritare.net
Më 2 qershor hapen aplikimet në platformën “Mësues për Shqipërinë” 2025. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama përmes një postimi në facebook, teksa thekson se aplikimet do zgjasin deri më 16 qershor.
Ata që kanë dhënë provimin e licensës në maj 2025 ose janë në process të licensimit, afati i aplikimit është nga data 13-23 qershor.
“Hapen aplikimet për “Mësues për Shqipërinë” 2025. Nga 2 deri më 16 qershor 2025, hapen aplikimet në platformën e-Albania, për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e sistemit arsimor”, njofton kryeministri.
Regjistrimi i kandidatëve “Mësues për Shqipërinë” 2025 bëhet në e-albania në shërbimin “Aplikim për konkurrim për punësim si mësues”. Sipas kritereve të publikuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, kandidati i interesuar aplikon në DRAP-in ku ka vendbanimin e përhershëm dhe ka të drejtë të përzgjedhë deri në 3 ZVAP ku dëshiron të punësohet. Po ashtu, kandidati që zotëron më shumë se një licencë, ka të drejtë të konkurrojë në profilet sipas licencave përkatëse, duke bërë aplikim më vete për secilën licencë.
Ndërkohë për ata që dëshirojnë të punojnë si mësues në dispozicion ose si mësues ndihmës, krahas aplikimit për profilin përkatës, duhet të zgjedhin edhe opsionin “Mësues në dispozicion” ose “Arsim special”.
Portali “Mësues për Shqipërinë” u krijon po ashtu mundësinë kandidatëve që kanë dhënë provimin e licencës dhe kanë rezultuar të suksesshëm të përzgjedhin nëse duan të ruajnë pikët e testimit apo kërkojnë të ritestohen për këtë portal.
Në fazën e parë do të bëhet vlerësimi i dosjeve të aplikimit për plotësimin e kritereve ligjore. Kandidatët kanë të drejtë të bëjnë ankimimin për vlerësimin me pikë dhe verifikimin e dosjeve për kualifikim, ndërkohë që në vijim Komisioni i Vlerësimit të Dosjeve shqyrton ankesat dhe konfirmon kandidatët e kualifikuar, të cilët futen në testim apo mbartin pikët e portalit 2024.
Faza e dytë përfshin testimin e informatizuar, ndërkohë që Qendra e Shërbimeve Arsimore duhet të nxjerrë rezultatet e testit të informatizuar brenda datës 31 gusht 2025. Lista përfundimtare e kandidatëve së bashku me renditjen e tyre është gati brenda datës 2 shtator 2025./E.P-dritare.net

















