Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gjuhëtarja ngre alarmin: Shqipja do rrudhet, nëse flasim vetëm anglisht!

Gjuhëtarja ngre alarmin: Shqipja do rrudhet, nëse flasim vetëm

Akademikja Anila Omari e ftuar në emisionin nga Rudina Xhunga në DritareTv sqaroi se përse shqipja është pasardhëse e ilirishtes. Gjuhëtarja dhe leksikografja sjell shembujt e gjuhëve të huaja: si latinishtja dhe greqishtja e vjetër, për të treguar edhe njëherë prejardhjen e shqipes, që shpeshherë ka ngjallur debate të forta në Shqipëri.

“Gjuhëtarët e gramatikës historike kanë vënë re që shqipja ka pësuar shumë risi në sistemin gramatikor. Ka humbur mbaresat e vjetra të lakimit të sistemit indoevropian, në sistemin foljor po ashtu. Këto janë ato lëvizjet që pëson sistemi i gjuhës. Dëgjova profesor Agim Vincën që tha që në Kosovë thonë tani “me japë” jo “me dhanë” ky është një ndryshim që ka pësuar gjuha. Nuk ka qenë kjo dukuri. Kur shkruajmë nuk duhet të përdoret, ndryshe nga e folura. Varet nga niveli i shkollimit. Por edhe kjo është gjuhë shqipe, gjuha dialektore, kuptohesh. Këto ndryshime gjuhësore, çojnë në ato fazat e ndryshme të gjuhës, te periodizimi. Jo më kot kemi periodizime të Shqipes që i kanë bërë autorë të huaj. Jo gjithmonë ata janë në një mendje. Prandaj thuhet edhe kjo periudhë 2000-vjeçare sepse merren si shembuj edhe gjuhët e tjera. Kemi latinishten me bijat e saj, greqishtja e vjetër me greqishten e re. Sot folësit e këtyre gjuhëve neolatine, bijat e gjuhës latinishte, nuk e kuptojnë gjuhën latine, duhet ta mësojnë në shkollë, edhe pse ka shumë gjëra të përbashkëta. Ajo duket që është vazhdimësi. Edhe për shqipen prandaj thuhet se është vazhduese e ilirishtes. Ka qenë një gjuhë që ne nga pikëpamja e sotme nuk e kuptojmë, ashtu siç nuk kuptojnë gjermanët gjuhën gotike. Gjuha është sa e re, aq edhe e vjetër. Janë ato paradokset e gjuhës, sepse ka natyrë që rrjedh, nuk ndalon në vend.”, thotë gjuhëtarja.

Gjuhëtarja ngre alarmin për përdorimin e gjuhës shqipe sot. Ndërsa shpjegon se fëmijët sot, nxënësit në shkolla po mësojnë dhe flasin më shumë anglisht sesa shqip, akademikja thotë se kjo do sjellë pasoja të rëndë për shqipen, deri në ndryshimin dhe rrudhjen e saj.

“Fëmijët sot thonë: “Unë di shqip se shqip flas. Po fëmijët flasin shqipen që mësojnë në familje. Ama kur vjen puna për të shkruar një ese, apo të përdorin një gjuhë shqipe të ngritur, nuk e di sa mund t’ia dalin nëse kujtesën e tyre e kanë të mbushur me fjalë anglisht. Më ka ndodhur dhe mua të dëgjoj fëmijë që flasin anglisht në rrugë. Të folurën në anglisht e kanë normalitet. Për këtë duhet të shqetësohemi. Këta fëmijë tani po shkruajnë shqip sipas strukturës së anglishtes. Kjo do çojë në ndryshime të rëndësishme të gjuhës shqipe. Teksti shqip do jetë, por do jetë një shqipe shumë e afërt me gjuhët e tjera të Evropës. Nuk mund të vëmë alarmin se do zhduket shqipja sepse për sa kohe ka folës që e flasin ajo është një gjuhë e gjallë, që jeton. Por do ndryshojë më shumë seç po ndryshon tani nëse brezat e rinj do flasin e shkruajnë më shumë anglisht. Kështu do vijë duke u rrudhur gjuha shqipe. Por është shkolla ajo që ia mëson gjuhën letrare, gjuhën e mirë nxënësve. Nëse ata nuk i tërheq lënda e gjuhës që bëjnë në shkollë, pastaj mësojnë më kollaj anglishten. Sepse për anglishten nuk ankohen, ajo u pëlqen.”, shprehet akademikja./K.C/dritare.net