Gazetari: Shqipëria vend i sigurt, nuk ka më krim rruge!
Dritare.net
Shqipëria është vend i sigurt. Kështu tha gazetari Artan Hoxha i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga ndërsa bën një krahasim të sigurisë në Shqipëri, me atë çfarë pa para dy vitesh në Amerikën Latine. Gazetari u shpreh se krimi i organizuar është tjetër gjë dhe krimi i rrugës gjë tjetër. Në Shqipëri tha gazetari, nuk ka krim rruge, ka siguri dhe qetësi. Pavarësisht se çfarë lexojmë në media, thekson ai, Shqipëria është e sigurt dhe kjo është e dukshme edhe për turistët.
“Ne merremi me fushën e kriminalistikës dhe ekspozohemi më shumë ndaj krimit. Por duhet t’i ndajmë gjerat. Unë para dy vitesh shkova për herë të parë në Amerikën Latine. Aty krijova një ide të qartë se çfarë cilësie të sigurisë kemi ne. Unë kisha harruar që nga fundi i viteve 1990 dhe fillimi i viteve 2000 kishte grabitje në rrugë, të merrnin çantën, vrasën, të huajt i vrisnin. Humbën tre turistë çekë në Theth, u vranë dy të tjerë. Siguria ka dy nivele. Është siguria që shohin qytetarët, turistët, kjo e përditshme e cila ka të bëjë me tepër me krimin e rrugës, pra atë ordiner. Shqipëria në krahasim me atë që pashë në Amerikën Latine dhe këtë që shoh çdo ditë këtu, sot është vend i sigurt për turistët dhe qytetarët. Ata lëvizin lirisht, ditën apo natën. Dalin bëjnë festa. Vetëm këtë fundjavë duhet të jenë 10 mijë turistë të huaj në Borsh dhe në Qeparo. Do jetë ditë e natë festë. Këtë shohin qytetarët. Pra ti lëviz lirisht, nuk grabitesh, nuk janë krimet e rrugës siç kanë qenë, niveli i tyre nuk është i madh. Nuk është më shqetësues. Kjo është gjë e dukshme, nuk ka pse të mos evidentohet. Ky është shqetësimi i parë që shohin turistët. Në këtë nivel Shqipëria ka një përmirësim jashtëzakonisht të madh. Një arsye është sepse është rritur niveli i kulturës, i mirëqenies së qytetarëve, një pjesë e mirë e tyre kanë biznese. Pra Shqipëria është e sigurt. Shumë të huaj që vijnë në Shqipëri, qoftë dhe kolegë të mi, çuditen me atë që gjejnë. Se gjëra ndryshe lexojnë dhe ndryshe shohin kur vijnë.”, tha gazetari në DritareTV./K.C/dritare.net