Nga lidhjet me Liri Berishën te blloku i llogarive. Gazetari Artan Hoxha: Të pathënat e Ervis Martinajt!
Dritare.net
Gazetari Artan Hoxha bën një rezyme të jetës së Ervis Martinajt, atë që ai e cilëson si njeriun e parë që bëri evolucion në botën e krimit, pasi miksoi bashkë biznesin, krimin dhe politikën. I ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV gazetari tregon kush ishte Ervis Martinaj, djali i shkolluar për ekonomi-biznes dhe juridik që sot është bosi më i madh i krimit në Shqipëri. Hoxha flet edhe për lidhjet e familjes së Martinajt me Liri Berishën, që është përfolur shumë dy ditët e fundit.
“Ervis Martinaj duhet të studiohet në akademitë e policisë, në Fakultetin Juridik si një lloj fenomeni. Ervis Martinaj është atipik. Ai është biznesmen. I rritur në një familje intelektuale. Babai me origjinë nga Martinaj i Gucisë, ndërsa nëna nga Dhërmiu. Ata kanë jetuar në Mat dhe pastaj janë vendosur në Tiranë. Të pestë si familje janë shkolluar për ekonomi biznes. Martinaj ka mbaruar dhe juridikun.
Lidhjet e Ervis Martinajt me zonjën Liri Berisha!
Fshati i babait të zonjës Berisha është Vuthaj, ku jetonte edhe familja e Martinajt. Të zonës i thonë njëri-tjetrit nip e dajë. Por Martinajt dhe Berisha nuk janë kaq të afërt sa thonë. Babai i Liri Berishës ka pasur lidhje miqësore me familjen Martinaj. Por jo lidhje gjaku.
Si u fut Ervis Martinaj në biznesin e familjes!
Ai u fut në një biznes të shëndetshëm financiarisht, merreshin me lojërat e fatit, me agjencitë e këmbimit valutor. Ndryshe nga të tjerët, ai nuk erdhi nga rruga, nuk e provoi urinë, vuajtjen, diskriminimin. Ai u fut në biznesin e lojërave të fatit, kishte dhe lidhje politike direkte me zotin Berisha, sepse kanë pasur njohje familjare, shoqërore. Kjo i dha akses. Fuqinë më të madhe e mori pasi erdhi në pushtet Rama sepse qeveria nuk e goditi dot.
Pse u bë agresiv Martinaj!
Sepse ai kishte biznese të paligjshme dhe shteti ia bllokoi. Ai reagoi, kërcënoi policinë, vrau njerëz dhe pastaj bënë marrëveshje dhe heshtën. Këtu u fuqizua. Kur u mbyllen lojërat e fatit ai kontrollonte mbi 50% të pikave që ishin në territor. Në Shqipëri kishte rreth 6000 të punësuar. Industria e lojërave të fatit i dha atij keshin. Kur politikanë, biznesmenë, gjyqtarë, policë, shkonin te lojërat e fatit, ai i pikaste. Ai ishte i zoti për të kuptuar dobësitë që kishte tjetri, ndaj u ngjit kaq larg. Ka pasur një bllok ai ku shënonte çdo gjë dhe nuk i shpëtoje. Sa merrte dikush detyrën si drejtor policie i çonte dikë që i thoshte: “Paga mujore është kaq, vetëm mos na dil kundër, mos na prish punë.” Shefi i komisariatit e kishte rrogën 800 mijë lekë, ai ofronte 5000 euro, ai pranon. Dhe kur vinte urdhri për të sulmuar kazinotë u shkonte mesazhi: "Largohuni se po vijnë!" Ai joshte ata që ishin të dhënë pas parasë dhe i kthente nga armë të shtetit kundër tij, në armë të veta kundër shtetit. Deri sa ndodhi ngjarja në Bllok që filloi të rrëzojë mitin e tij. Ai është njeriu i parë që ka bërë një evolucion në botën e krimit, miksoi biznesin, botën e krimit dhe politikën. Ervis Martinaj e veshi krimin me papion dhe kollare. Prandaj u kthyer në armik publik.”, u shpreh gazetari në DritareTV./K.C/dritare.net