Artan Hoxha: SPAK-u po nxjerr nga qarkullimi elitën e mykur politike të këtij vendi!
Dritare.net
Gazetari Artan Hoxha i ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV tha se kur u krijua SPAK-u në fillim kishte dy detyra. Njëra të luftojë krimin e organizuar dhe e dyta të nxjerrë nga qarkullimi elitën e mykur politike të këtij vendi.
“Që prej momentit të formimit të tij SPAK-u kishte dy detyra. Të luftojë krimin e organizuar dhe të luftojë korrupsionin. Pra gjysma e SPAK-ut merret me korrupsionin dhe elitën qeverisëse të këtyre 30-ca viteve. Dhe gjysma tjetër merret me elitën tjetër. SPAK-u po mundohet të bëjë atë që shoqëria jonë nuk e ka bërë dot me mjete demokratike. SPAK-u po mundohet të nxjerrë jashtë sistemit drejtuesit politikë të vendit që e kanë sjellë vendin në ketë derexhe. SPAK-u e bëri me Berishën, që tani është në papafingo. Berishën ta çosh në burg dhe moshën që nuk e kap ligji. Njeriu tjetër pas Berishës është Meta. Ai ka provuar çdo lloj mënyrë që t’i shpëtojë SPAK-ut. Ne nuk e kemi menduar kurrë që pikërisht këta njerëz do ishin në ketë situatë. Kush e mendonte që zëvendëskryeministri i Shqipërisë do merrte arratinë? Apo që do bëhej normale që zyrtaret e lartë të shtetit, deputetët, ministrat, kryetarët e bashkive do venë të japin llogari para SPAK-ut? Kjo po dëshmon që ata që e kanë menduar këtë gjë, pra gjysma e SPAK-ut po mundohet të nxjerrë nga qarkullimi elitën e mykur politike të këtij vendi dhe t’i krijojë mundësi vendit të evoluojë. Këtë po bëjnë, finalen do ta shohim.”, tha gazetari në DritareTV./K.C/dritare.net