
Gatoi për UEFA-n/ Shef Fredi: Gatimi që i ndryshoi mendjen edhe vegjetarianit!
Dritare.net
Në edicionin e lajmeve në Dritare Tv, ishte i ftuar Shef Alfred Marku i Rapsodisë, i cili ditën e djeshme gatoi për kryesinë e UEFA-s dhe futbollistët në finalen e “Conference League” me tre shefa të tjerë, tregoi më tepër për këtë eksperiencë. Shef Fredi tregoi çdo detaj që nga përzgjedhja e menusë, ku u përfshinë gatime nga e gjithë Shqipëria. Më tej Shef Fredi tregoi edhe atë që ai e quan kënaqësinë ose arritjen më të madhe të ditës së djeshme, ku një nga pjestarët e UEFA-s, edhe pse ishte vegjetarian pasi provoi pulën me jufka dhe qull, kërkoi sërish nga kjo pjatë.
“Besoj se shqiptarët vdesin për grosh, menuja u ndërtua në mënyrë perfekte. Ne ishim 4 shefa kuzhine, mund të thuhet se ishte një drekë me 8 duar. Kishim shef Arbër Avdija, të cilin dua ta falenderoj për kontributin e tij, pastaj ishte shef Altini i Mrizit të Zanave si dhe Sebastian Biba. Ne ndërtuam një menu, në të cilën përfshimë të gjitha ato produkte nga e gjithë Shqipëria, duke filluar nga pjata e pare që ishte një peshk në lëndinë, ishte një terrine me perime, me karpaçon e levrekut dhe acuge e cila u shoqërua me një krem hudhre jeshile shumë delikate dhe spageti me panxhar. Pastaj erdhi Sebi, që kishte atë tavën e krapit, që është tipike shkodrane, e sjellë me një risi që ngjante me të vërtetë si një pranverë e mrekullueshme. Pastaj erdhi Altini me byrekun dhe pastaj dolëm sërish me pulën me jufka dhe qull.
Unë u mundova të bashkoj, shumë krahina bashkë. Duke marrë parasysh qulli që është i Mirditës, jufkat që janë të Dibrës, pula që është e Ballkanit, pasionin që është i Lezhës, duke i sjellë në një format gurmeje, një format i bukur dhe aq i shijshëm sa dukej.
Kanë qenë 80 persona për të cilët ne gatuam, ishte gjithë ajo ajka ose ajo që ne i themi themel arti i UEFA-s. Po e keni parasysh kur bën menunë dhe bën skaletën e duhur të shijeve, je në dilemë a do ta pëlqejnë pasi shijet e Ballkanit janë pak më të forta se ato të evropës. Dhe unë rrija prisja vinte pjata e parë, që e sillnin kamarierët dhe shihja në ankth a e kishin ngrënë a kishin lënë gjë në pjatë. Deh erdhi pjata e pare e kishin mbaruar të gjithë madje kishin bërë edhe atë çapën (ngjyerjen e pjatës), dhe kështu edhe pjata e dytë, e tretë dhe me radhë. Dhe pastaj erdhi drejtoresha po e shihja në sy, më buzëqeshi dhe më tha: “Fred ja dolëm”.
Një porosi që na dhanë ishte se njeri prej tyre ishte vegjetarian dhe dy pjatat e fundit duhet të hiqen sepse kanë mish. Dhe vazhdova nxorra pulën, që ishte pjata ime dhe kur do dilte pjata e tavës së kosit, më vjen porosia: Të lutem, ai vegjetariani kërkon pulën!
Unë them se kjo ishte arritja më e madhe, që tentova që shijen e një vegjetariani për një ditë e ndryshova” u shpreh shef Fredi për Dritare Tv./Xh.Xh/dritare.net

















