
Foto/ Mbahet mbledhja e parë e qeverisë!
Dritare.net
Pas ceremonisë së betimit në Presidencë, ku kryeministri Edi Rama dhe 16 ministrat e kabinetit të tij u betuan para presidentit Bajram Begaj, qeveria e re “Rama 4” zhvilloi sot mbledhjen e parë zyrtare.
Siç është kthyer tashmë në traditë, pas marrjes së dekretit, kryeministri dhe ministrat ecën në këmbë nga Presidenca drejt Kryeministrisë.
Pamjet treguan ekipin qeveritar në pritje të semaforit për të kaluar rrugën, përpara se të hynin në godinën e Kryeministrisë ku i priste mbledhja e parë e qeverisë.
Në këtë mbledhje pritet të përcaktohen prioritetet e mandatit të katërt të socialistëve, si dhe të miratohen vendimet e para organizative për funksionimin e ministrive.
Në vëmendje ka qenë edhe prezantimi i ministrisë së re virtuale të Inteligjencës Artificiale, “Diella”, për të cilën presidenti Begaj ka specifikuar se përgjegjësinë do ta mbajë vetë kryeministri Rama, pasi për këtë post nuk ka një dekret të veçantë ministror.

















