Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Fjala e plotë/ Përgjigjet e Ramës për PD-në: Ju fituat, unë shkoj në Shtëpinë e Bardhë!

Fjala e plotë/ Përgjigjet e Ramës për PD-në: Ju fituat,

Fjala e plotë e kryeministrit Rama në seancën plenare të 22 janarit 2025.

Sot ky Kuvend mblidhet për të ratifikuar një akt të vullnetit të mirë të cilin Shqipërisë, në radhë të parë kësaj shumice qeverisëse në emër të këtij vendi dhe sigurisht krejt Kuvendit, kur dhe nëse është e mundur, i takon ta bëjë sa herë vjen në tryezë tema e paqes, çdo mundësi për të kontribuar për paqen.

Ne, shumica kuvendore e Shqipërisë për tre mandate të plota me radhe e kemi bënë zëdhënësin dhe punëtorin e paqes në këtë rajon të trazuar edhe kur kjo është dukur dhe madje është komentuar deri edhe si tradhti. Një etiketë që në fakt është një provë vendimtare e paqe dashjes për shumëkënd që ka punuar për paqen në historinë e kësaj bote.

Ne e kemi çuar Shqipërinë e përkushtuar për paqen deri dhe në krye të OSBE-së apo në tryezën e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara ku kemi nderuar flamurin dhe kombin shqiptar

Një dekadë më parë ky vend ishte një ishull që dilte në radarin e botës vetëm për lajme të këqija dhe shqiptarët në botë shiheshin si përfaqësuesit e atij ishulli të mveshur me tërë të zezat nga mediat e botes, një pjesë të vërteta dhe një pjesë gënjeshtra me bisht.

Sot ai ishull ku numëroheshin si turistë dhe deputetët e Kuvendit dhe vet kryeministri sa herë kthehej nga jashtë shtetit është një Shqipëri tjetër; destinacion i 12 milionë turistëve, me aeroportin më rritjen më të lartë të numrit të pasagjerëve në Europë dhe për të disatin vit i pari në rajon, duke e lënë në vend të dytë Beogradin, krye aeroporti historik të Ballkanit Perëndimor.

Kjo Shqipëri tjetër iu ka hequr shqiptarëve sëkëlldinë e emrit që pas shume vitesh nëpërkëmbje nëpër rrugët e Europës e shqiptojnë sot me kokën lartë në çdo gjuhë të Europës dhe pikërisht sot kur bota është trazuar keq dhe paqja është vënë në një presion të paparë nga të katra anët, Shqipëria e çmuar ndërkombëtarisht prej disa vitesh ftohet nga personalisht Presidenti i Shteteve të Bashkuara për tu bërë anëtar themelues i një organizmi të ri ndërkombëtar të krijuar prej tij me emrin kuptimplotë “Bordi i Paqes”.

Ky është një nder i veçantë dhe kjo është një tjetër mundësi për të dhënë kontribut për paqen, jo se ne jemi të mëdhenj apo se pa ne nuk zgjidhen dot konfliktet në zona të tjera të botës, por sepse na jepet mundësia të vazhdojmë të rritemi si shtet duke zgjeruar dijen dhe forcuar vetëdijen tonë si zëdhënës dhe si punëtor të paqes si dhe të njihemi botërisht si vend dhe si popull për atë që duam të jemi në këtë botë ku kur nuk je në tryezë, je në menu.

Tani më e mira do të kishte qenë që këtu sot për një herë të vetme të pushonte avazi i të gjitha herëve edhe pse kjo e sotmja është një herë e ndryshme nga shumë herë për këtë vend dhe për këtë Kuvend. Por si duket humbësit kronik nuk duan ta humbasin as këtë rast për të bërë të vetmen gjë që dinë të bëjnë më mirë se kushdo tjetër në botë, të humbin! Të humbin përsëri rastin duke vazhduar t’i bindin shqiptarët se nuk vlejnë për asgjë tjetër përveçse për të përfaqësuar dhe mishëruar humbjen në të gjitha format dhe në të gjitha dimensionet e saj.

Dhe është vërtetë për të ardhur keq po të mendosh se sot në fakt ju kishit mundësinë të deklaronit fitoren. Fitoren tuaj më domethënëse sepse në fakt si gjithmonë ju prapë fituat. Ju fituat sepse për muaj me radhe thatë se Amerika do të më bënte mua gjyqin e ëndërruar prej jush për t’ju kthyer ju në ato karrige ku nuk do ktheheni kurrë po nuk dolët nga poshtë karriges ku qëndrojnë hije rënda të ndenjurat e “stërgjyshit” tuaj.

Ju fituat sepse e paralajmëruat popullin që mua do më thërrisnin në Amerikë në datën 20 janar, por ky ishte lapsus për tu paraqitur në Prokurorinë Federale madje ju e vulosët fitoren kur festuat marrjen me forcë të Maduros nga shtëpia e tij në Karakas dhe ju thatë shqiptareve që ajo ishte vetëm një provë gjeneralë e ushtrisë amerikane për rrëmbimin e Ramaduros nga zyra në Kryeministri që e keni fiksim 12 vjet dhe mblidheni si qindra Romeo të dëshpëruar për një Zhulietë të vetme.

Tani, ju mund të mendoni se unë po tallem, mund të tallen këta me ju, unë me ju nuk tallem. Unë s’tallem kurrë me fitoret tuaja dhe sot ju do votoni të vërteten e madhe që unë nuk do ta detyroj ushtrinë amerikane t’i bashkohet protestës suaj nga tarraca e Kryeministrisë se do dorëzohem vet paqësisht në duart e autoriteteve ligj zbatuese amerikane që do vijnë në aeroportin në Uashington, do më marrin me eskortë, do më çojnë në Shtëpinë e Bardhe për tu ulur si anëtar i Bordit të Paqes.

Pra ka vetëm një nuancë në dështimin tuaj. Ju prisnit të fitonit me helikopterët e ushtrisë amerikane dhe nuk e prisnit që unë do dorëzohesha vet. Vetëm kaq, por kjo është fitorja juaj. Ju e arritët këtë, fituat dhe këtë herë dhe falë jush që mbushët dynjanë duke thënë se unë nuk isha, në fillim thatë se unë nuk kam ftesë, se unë jam mësuar me ju, ua u jap pak nga pak se pastaj mbyteni dhe larg qoftë të mbyten ju. S’ka ftesë. Doli ftesa, jo po këtë ftesën e ka gjithë bota. Tani më thoni nuk je te bordi. Ok, por u ngatërruat pak se nuk e keni idenë sesi strukturohen grupet ndërkombëtare. Grupet e strukturuara ndërkombëtare kanë një organigramë që ju nuk e kuptoni por s’ka problem. Rendësi ka që do ngrini kartonin me votën tuaj, do miratoni Bordin e Paqes dhe mua si përfaqësues i Bordit të Paqes në Shtëpinë e Bardhë. Sot do ngrini kartonin, do fitoni apo jo? Po, po! E fituat, për Zotin bravo! Por ju fituat dhe për një arsye tjetër. Ju denoncuar aferën 1 miliard dollarë që unë në fakt ja premtova sekserëve të bordit por denoncimi juaj më detyroi të tërhiqem nga ajo pagesë dhe e detyruat presidentit Trump të më pranojë pa pagesë. Mos e ulni vigjilencën, që të jeni brenda çojeni në SPAK Bordin e Paqes për praninë time aty. Se SPAK tani është bërë si një sportel. Ka qenë një sportel prapa Kryeministrisë, kur ne bënim stërvitje basketbolli tek fusha e zezë, ishte një sportel ku shkruhej “letra nga populli”. Kështu është bërë SPAK-u. Çojeni dhe këtë letër dhe meqë e çuat një herë se këta, e dini, kanë çuar Tony Blair në SPAK dhe nuk doli gjë. Tani çojeni prapë Tony Blair se kushedi del ndonjë provë, si ato që mbajnë në burg pa gjyq lali Erin, për të cilin deri tani janë shkruar 3 volume të një romani policor, por provë për korrupsion për krye bashkiakun e Tiranës s’nuk. Prandaj juve as mos e vrisni mendjen fare. Pune e madhe shumë se Tony Blair s’ka marrë kurrë një qindarkë nga shteti shqiptar. Punë e madhe shumë se pa Tony Blair nuk do kishte ndodhur bombardimi i Beogradit dhe futja e NATO-s në Kosovë që ju e doni aq shumë atë Kosovë dhe prandaj nuk ndaluat së çuari naftë te Sllobodani dhe nuk latë gurë pa luajtur të sabotonit Rambujenë dhe nuk latë fjalë të poshtër pa thënë për UÇK-në, nga dashuria për Kosovën e kishit. Çojeni në SPAK se tani që ushtria amerikane e anuloi hyrjen me helikopter në Kryeministri, SPAK-u është stacioni i fundit i rrugës së shpresës suaj për pushtet.

Ju fituat! Unë nervoz! Unë kam pasionin e atij që shef se si të gjitha kurthet në pyll janë plot, janë plot. Po për ato kurthe duhet durim. Prandaj sa më shumë të thoni “Ramaduro”, aq më shumë unë e dëgjoj “Rama duro” se këtë punë ke me këta. Kështu që hiqeni Ramaduron se më shtoni durimin.

Mua më ka ardhur radha kaq herë, kaq herë më ka rënë radha, sa dhe ato 5000 veta që iu vinin, janë bërë tani si lekët e vjetra. Por ju fituat edhe për një arsye tjetër, “ndalët pushtimin e Shqipërisë nga palestinezët”, se denoncuat një komplot në kurriz të popullit shqiptar, që bashkë me 1 miliard që do merrja unë nga taksat për të shkuar atje, se ju mendoni se Amerika blihet, siç doni ta blini ju me ato milionat tuaja që ua japin patriotët. Janë ca patriot atje që shesin hamburger dhe paguajnë që juve të shpëlani atë që nuk shpëlahet dot.

Falë jush, palestinezët nuk do vijnë, nuk do vijnë nga Gaza në Shqipëri, po ju duhet ta çoni SPAK, projektin e kampusit të Universitetit Durrësit, se e di si thanë apo jo? - Po bëhet kampus në Universitetin e Durrësit për të sjellë palestinezët. Një kokë e madhe nga radhët tuaja tha, 2 milionë palestinezë do vendoseshin tek kampusi i Universitetit Aleksandër Moisiu. Se Luli iku, po “7x7” mbeti, aritmetika, edhe kur bëni llogari të eksporteve, ajo është.

Tani çojani SPAK-ut dhe kërkojini menjëherë urgjent atyre që paguajnë në Amerikë. – Ore ai Latifi, si është Latifi? Latif magjistarin, ku e keni aman? Mos e lëshoni atë, se ai ja u merr humbjen fitimtare dhe në magji ia u bën më thellë dhe thuajini Latifit direkt gjithë këto denoncimet t'ia çojë atij kongresmenit, se e kanë në xhep atë kongresmenin që i merr nga ju dhe del i lexon atje, që Kongresi Amerikan do merrej me AKSHI-n. Çojani Latifit tani edhe thuajni të dalin ta këndojë ai kongresmeni dhe pastaj ta merrni ju këtu dhe të thoni: “Kongresi Amerikan...:.

Ai kongresmeni dhe Kongresi Amerikan kanë po aq lidhje sa ç'kishin amendamentet e Nard Ndokës me projektligjet e Partisë Socialiste. E kuptoni ju?

Tani ka dhe një gjë tjetër, mos e lini pas dore punën e non gratës për mua. Në asnjë mënyrë, se siç ju kanë dalë të tëra fjalët, do ju dalë edhe fjala për non gratën, por e tha sot dikush, - Edi Rama po mbledh Parlamentin, se ka një ngërç. Ngërçi në fakt është se për Parlamentin e Shqipërisë ka vetëm një kuotë për non gratë dhe ajo është e zënë dhe është e zonë me meritë. Ai që e ka marrë non gratën, e ka merituar në mënyrën më bindëse dhe kishte drejtë Sara kur tha: - “Kur s’të vjen zor ty tha, ç’a do të më vijë zor mua”.

Po juve do t’iu dali fjala që non grata do hiqet në mars të 2025 dhe pavarësisht se është 2026, juve vazhdoni fort, se në mars 2025 do ta hiqni! Puna është që dy fjalët janë mbivendosur, keni mbivendosur fjalët, keni thënë do hiqet dhe do vihet. Ajo po s'u hoq, nuk vihet, se është një kuotë dhe vallahi, ai që e ka marrë atë kuotë, ai është i paarritshëm në të gjitha poshtërsitë, ligësitë, pabesitë që i ka bërë popullit shqiptar dhe thikat mbas shpine që i kanë ngulur të gjitha aleancave strategjike të Shqipërisë, kështu që zor shumë se lëviz ajo kuotë.

Tani në mbyllje dua t'ju informoj se të hënën e ardhshme do të kemi një tjetër nder të jashtëzakonshëm, do i drejtohem Knesset-it, Parlamentit të Izraelit, si Kryeministër i Shqipërisë, po pa lejen e këtyre kuptohet, në të njëjtin format që iu rezervua para disa kohësh presidentit të Shteteve të Bashkuara, si dhe një numri tejet të kufizuar udhëheqësish të huaj në historinë e atij Parlamenti, emrat e të cilëve mund të gjenden lehtësisht, por i japin një përmasë krejt të posaçme privilegjit që më është bërë mua dhe kësaj shumice qeverisëse, që mbështetet nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, por edhe vetë Shqipërisë për të folur në atë Kuvend.

Por duke qenë se në këtë rast lista është vërtetë e shkurtër dhe kundërshtarët e bordit sapo e përfunduan numërimin me shumë pasion të të ftuarve në bord, “jo janë gjithë vendet”, “jo s'është ky”, “është ai”, a thua se numrat flasin ndonjë gjë të madhe për një vend si yni, duke u përpjekur tu thonë shqiptarëve se prania në Bordin e Paqes ishte diçka mekanike automatike, pa asnjë lidhje me vlerat, me rolin, me reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë, se me mua s'bëhet fjalë, dua të nënvizoj se për Shqipërinë, për mua dhe për ne konsiderohet nder çdo ftesë që nuk u bëhet të gjitha shteteve e botës sepse ne nuk jemi as kërthiza e botës, as ndonjë vend me një fuqi të spikatur ekonomike ose ushtarake. Po jemi në një vend tejet të vogël që u vetë zhduk nga harta e Europës për 50 vjet, duke mbyllur derën me çelës nga brenda. Pastaj, kur hapi derën e lidhjes me botën, u keqtrajtua nga brenda dhe nga jashtë për vite të tëra, duke u tërhequr zvarrë sa nën rrënoja piramidash e sa nëpër gropa borxhesh, sa nëpër duart e atyre që e keq qeverisën, e sa nëpër pasqyrat ndërkombëtare të atyre që u hidhnin në kurriz Shqipërisë dhe shqiptarëve plot gurë të pamerituar, një vend që askush përveç meje dhe një grushti njerëzish që besuan, kur e gjithë Partia Socialiste thoshte, - “ky është një i çmendur, mos i shkoni nga mbrapa”. As nuk e ka imagjinuar dot se do të ngjitej këtu ku është ngjitur sot me punën, vendosmërinë dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të një dekade që ka përmbysur historinë e mbrapshtë të Shqipërisë. Doni ju apo s'doni ju! Dhe ju na duheni këtu, sepse ju jeni këtu për t'i kujtuar shqiptarëve atë “ishullin e turpit”, ndërsa ne jeni këtu për t'i ngjitur shqiptarët në atë majën e shumë ëndërruar të Shqipërisë 2030. Dhe atyre që na besojnë, po edhe atyre që hezitojnë të na besojnë, - unë i them vetëm kaq, kini besim dhe jeni të bindur se ne do të ngjitemi për aty ku jemi nisur duke u rritur ekonomikisht, duke u forcuar shtetërisht dhe duke u vlerësuar ende më shumat akoma ndërkombëtarisht dhe mos e harroni kurrë sa më shumë lehin qentë, aq më përpara ka shkuar karvani dhe aq më e madhe është bërë distanca mes karvanit dhe qenve!