Edi Rama: Pse u harrua historia e shqiptarëve që shpëtuan 25,000 italianë!
Dritare.net

Për tetë dekada, një nga aktet më të mëdha të humanizmit në historinë shqiptare ka mbetur pothuajse i panjohur: shpëtimi i rreth 25,000 ushtarëve italianë nga familjet shqiptare pas kapitullimit të Italisë në 1943.
Në një bisedë me gazetaren Rudina Xhunga, Kryeministri Edi Rama pranoi se kjo histori madhështore nuk ka qenë pjesë e diskursit publik, duke theksuar se vetë ai e ka mësuar dimensionin e saj të plotë falë punës kërkimore individuale. Rama shpjegoi se në kujtesën kolektive të formësuar pas luftës, ushtari italian shpesh shihej përmes një lenteje tjetër, si Agushi personazhi gjysmë qesharak në filmin 'Njeriu me Top', dhe jo si një masë e madhe njerëzish që u mbrojtën nga vdekja e sigurt.
"E vërteta është që ky nuk është një fakt historik i njohur mjaftueshëm për të zënë vend në memorien kolektive," tha Rama, duke e krahasuar këtë heshtje me atë që mbuloi për dekada edhe historinë e shpëtimit të hebrenjve, e cila fitoi vëmendje vetëm pas rënies së komunizmit. Kryeministri Rama e theksoi këtë akt humanizmi si një nga dy momentet më krenare të historisë shqiptare, krahas shpëtimit të hebrenjve.
Rama përgëzoi gazetaren Rudina Xhunga që po nxjerr në dritë këtë histori të harruar përmes një dokumentari që do të prezantohet shumë shpejt, ndërsa i bëri një kërkesë publike ministrit të Jashtëm italian, Antonio Tajani, për të ndihmuar në shfaqjen e këtij filmi në Parlamentin Italian, në mënyrë që kjo dëshmi e fuqishme e miqësisë dhe humanizmit të bëhet e njohur për të gjithë, shqiptarë dhe italianë, që kanë një të kaluar ku i janë gjendur njëri-tjetrit jo vetëm pas 1990./dritare.net