Na ndiqni edhe në

Editorial

Dy fjalë për emigrantët që kthehen në atdhe

Dy fjalë për emigrantët që kthehen në atdhe
Dritan Hila

Që nga shpallja e karantinës ka filluar një fobi e spikatur ndaj emigrantëve shqiptarë në Itali.

Kam qënë dëshmitar kur një shitës ushqimoreje, nuk i la tre prej tyre të futeshin në lokal nga frika e kontaminimit. Dyshimit tim se unë mund të isha i kontaminuar dhe ata jo, u përgjigj se mua më njihte.

Kam frikë se kjo fobi do rritet me shtimin e masave në vende të ndryshme të botës dhe këtu.

Le të vijmë në një shpjegim racional të dinamikës së ngjarjes.

Emigrantët kanë më shumë se 10 ditë që janë kthyer. Kjo është edhe periudha kur pandemia në Itali nuk kishte marrë krahë.

Shumica e tyre janë moshë e re që nuk preken nga virusi. Edhe në u prekshin, e kalojnë në këmbë.

Është e justifikuar frika se me ç’malljet e tyre lart e poshtë mund të përhapin virusin, por në këtë pikë ja kam më shumë frikën hallave e tezeve shqiptare që nuk lenë qokë pa bërë; idiotëve që luajnë domino në tartaca; deficentëve që për të blerë bukën, portokallet, qepët, e bëjnë me tre të dala, sesa atyre që kanë marrë zakonet e vendeve nga vijnë.

Mund të rreshtohen një mijë arsye pse këta njerëz kthehen në atdhe dhe ata t’i ngarkojmë me fajin e përhapjes së virusit. Historia e njerëzimit njeh diegien e njerëzve në turra me dru vetëm se ju dukeshin si shtriga. Kështu që budallallëku ynë nuk ka pse ndryshon nga ai i botës.

Ama edhe një fjalë dua t’ua them këtyre emigrantevë. Kur ikni në kohët e rehatit dhe bota duket më e bukur se ky vend që quhet Mëmëdhe, mos shani e nëmni me bindjen se nuk do ktheheni më. Madje as mos e citoni Konicën, një lapërdhar që Mëmëdheun e kishte vetëm për ta rrjepur. Mos harroni se vetëm ky vend ju pret krahëhapur dhe ku jeni të barabartë. Se aty ku shkoni, të fundit do jeni në rradhë. Dhe në ju bëfshin ndonjë favor, me siguri ai ka qënë një shqiptar si puna juaj.

Hajdeni dhe dhe Zoti ja u priftë mbarë kur të ikni prapë. Por mos harroni se vetëm këtu ku ju ka rënë koka, ku keni thirrur mëmë e atë, ku ju njeh dhe guri i thatë, jeni të barabartë mes të barabartëve. Edhe në mos paçi dyshekë firmato por prej leshi të kapur me karfoma, e në mos paçi respiratorë, do keni dikë që t’ju rrijë tek koka.

Ndërsa për ata që e shikojnë të keqen e epidemisë tek emigrantët mjafton vetëm një fjalë: nuk ka penë, nuk ka shkrimtar, nuk ka baladë, që të përshkruajë sakrificën e emigrantëve shqiptarë; dhe nuk ka ekonomist që të përllogarisë se çfarë grope do ishim pa ata. /dritare.net