
Dushan Janiç: Ja ku dallojnë dhe afrohen Kurti dhe Vuçiç!
Dritare.net
I ftuar në “Shqip” nga Rudina Xhunga në “Dritare TV”, politologu serb Dushan Janiç ka analizuar “Ballkanin e Hapur” dhe ka folur për raportin aktual mes Kosovës dhe Serbisë dhe të lidërve Kurti dhe Vuçiç dhe si i sheh ai të dy në raport me njëri-tjetrin. Sipas Janiç, Kurti dhe Vuçiç kanë dallim por jo edhe aq shumë pasi kanë veprime politike të ngjashme me njëri-tjetrin.
“Pozicioni i Kurtit është specifik, unë e kuptoj plotësisht pozicionin e tij por ka ca gjëra që nuk jam dakord, siç është një parim që ai e ka ndryshe nga të tjerët, ai këmbëngul në parimin e reciprocitetit dhe pret që reciprociteti të shkojë krah më krah me normalizimin. Normalizimi nuk mund të jetë domosdoshmërish reciprocitet, normalizim do të thotë të vendoset besimi, bashkëpunimi dhe kjo do të mund të çojë pastaj drejt një mirëkuptimi apo kompromisi për zgjidhje. Kurti ka të drejtë kur flet për sovranitetin e Kosovës, njohjen e Kosovës, por nuk është vetëm Serbia problemi, Kosova ka probleme me vende si Rusia, Kina dhe shumë të tjera. Kurti duhet të lërë mënjanë njohjen e Kosovës dhe ta shohë të ndarë nga bashkëpunimi ekonomik. Akoma mendoj se reciprociteti nuk është politikë moderne. “Po te shikosh veç e veç, duket sikur ka dallime shumë të mëdha midis Kurtit dhe Vuçiç. Po të analizosh politikën e Vuçiç do të shikojmë që jo gjithçka është ok, p.sh. kjo ideja e Vuçiç se problemi i Kosovës zgjidhet me një rikonfigurim të kufijve është pak a shumë e ngjashme me teorinë e reciprocitetit, asnjëra prej të cilave nuk është politika e normalizimit, pra janë shumë të ngjashëm që të dy, që është paradoksale, por nga ana tjetër shikon se nëse ata do të lënë mënjanë atë super egon e anën emocionale të secilit mund të gjendet një zgjidhje.”, u shpreh Dushan Janiç./Dritare.net

















