
Dhurata Thanasi, një libër kushtuar historisë së kuzhinës së trevës tiranase!
Dritare.net
Prej kohësh e kemi parë Dhuratën e Lugës në çdo cep të Shqipërisë, duke takuar fermerë, prodhues shqiptarë.
Sot ajo ka njoftuar se pas më shumë se 1 viti pune do të sjellë një libër, kushtuar historisë së kuzhinës së trevës së Tiranës.
Në këtë libër përpos fakteve historike, që kanë të bëjnë me mënyrën se si kanë ngrënë tiranasit, burimet dhe të mirat e territorit të saj, janë edhe 30 receta tradicionale dhe autoktone nga e gjithë zona.
"Të dashur miq! Jam shumë e lumtur t’ju njoftoj për sjelljen në dritë të librit të parë të historisë së kuzhinës së trevës së Tiranës “KULINARIA”, në kuadër të 100 vjetorit të kryeqytetit tonë. Pas gati një vit pune intensive, hulumtimi, takimesh me burra e gra, të moshuar, barinj, bukëpjekës, baxhoxhinj, agronomë, bujq, baltëpunues, historianë, etnografë, këngëtarë, enologë, tiranas “denbabaden”, familje dibrane të Tiranës, shefa kuzhine, munda të sjell disa të dhëna dhe të hedh dritë mbi këtë pjesë të historisë së popullit të Tiranës.
Përgjatë kësaj historie Buka (ushqimi) ka vepruar si një katalizator i transformimit shoqëror, industrial apo zhvillimit ekonomik. Ky libër e shikon historinë në një këndvështrim tjetër: si një seri transformimesh të shkaktuara, të mundësuara ose të ndikuara nga ushqimi. Krahas fakteve historike që kanë të bëjnë me mënyrën se si kanë ngrënë tiranasit, burimet dhe të mirat e territorit të saj, në këtë libër kam sjellë dhe tridhjetë e një receta tradicionale dhe autoktone nga e gjithë zona. Po ashtu për herë të parë një libër mbi kulinarinë vjen në dy gjuhë (shqip-anglisht)”, shkruan Dhurata Thanasi në instagram./L.F-dritare.net

















