
Dhuna ndaj Petraq Milos/ Rama: U morën masat. Mezi i presin këto raste që të ndërpriten marrëdhëniet diplomatike
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka folur sot për herë të parë për dhunimin e profesorit Petraq Milo nga dy oficerët malazezë. Rama tha se këto janë raste që ndodhin dhe po përdoren për të ndezur flakën e nacionalizmit dhe për të kërkuar që të ndërpriten marrëdhëniet diplomatike me fqinjin e radhës.
“E vetmja arsye pse nuk i ka ndodhur edhe Dritanit ajo që i ndodhi profesorit Petraq Milo, është që Dritani njihet nga krifa e luanit dhe nuk e ngatërron njeri. Dhe dua me ketë rast, përtej shakave ta falënderoj për faktin që qysh në sekondën e parë të daljes së asaj videos së shëmtuar i ka telefonuar profesorit i ka shprehur ndjesën ai dhe ministri i Brendshëm. Janë marrë të gjitha masat në raport me personat në fjalë, edhe e gjitha kjo është bërë me xhentilesë maksimale por edhe me urtësinë maksimale. Këto janë raste që ndodhin. U ndodhin edhe në ndonjë rast shqiptarëve me policinë shqiptare, ose malazezëve me policinë malazeze. Por këto janë raste që shërbejnë si burim frymëzimi për të gjithë patriotët dhe heronjtë potencialë të rajonit tonë. Këto janë rastet që mezi i presin për të ndezur flaken e nacionalizmit dhe për të kërkuar që të ndërpriten marrëdhëniet diplomatike me fqinjin e radhës dhe kjo është arsyeja pse na duhet më shume bashkëpunim rajonal dhe pakufi. Jo se çdo popull si çdo pyll do të shpëtojë nga derrat e vet, por sepse sa më shume që hapësira të jetë e përbashkët, aq më pak derrat mund të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve tona.”, tha Rama./K.C/dritare.net

















