
Dëshmia/ Një ushtar më tregoi si u dha urdhri për goditjen e anijes shqiptare në Otranto!
Dritare.net
Sot mbushen plot 28 vite nga tragjedi e Otrantos dhe plaga vazhdon të mbetet e hapur për familjarët e viktimave që humbën jetën aty. 81 persona humbën jetën në mes të detit, pas përplasjes se anijes shqiptare “Kateri i Rades” me anijen ushtarake italiane, “Sibila” dhe vetëm 61 mundën të mbijetonin. Nga viktimat, 23 trupa nuk u arritën të gjendeshin kurrë. Pjesa më e madhe e të mbyturve ishin gra dhe fëmijë që gjendeshin në hapësirat e brendshme të anijes.
Mjeku nga Fieri, Arben Gjeka rrëfeu për gazetaren Rudina Xhunga në rubrikën “Jeta ime” në DritareTv historinë e 30 viteve të tij në Itali. Një episod i historisë së tij, ishte rrëfimi i një italiani, për tragjedinë e Otrantos në 1997-ën. Dr.Arbeni tregon se një italian i rrëfeu se kishte qenë në helikopterin që goditi anijen e Otrantos, e cila u përmbyt dhe u mori jetën dhjetëra emigrantëve shqiptarë që udhëtonin drejt Italisë.
“Te qendra ku punoja në Mon Blanc takova një italian. Ai më tha: “Ju detyrohemi shumë falje ju shqiptarëve si shtet edhe ne si italianë. Në tragjedinë e Otrantos në 1997-ën unë isha ushtar në marinën ushtarake. Unë isha në helikopter dhe dëgjova urdhrin kur thanë që të qëllohej mbi anie. Ta përmbytnim anijen. Nuk ishte aksidentale, ishte goditje me qëllim. U detyrohemi shumë falje.” Më shokoi kjo deklaratë. Nga gjykata u trajtua si aksidentale, por nuk ishte. Ajo ngjarje u mbulua nga politika, nga qeveria e asaj kohe. Nuk i interesonte Italisë të bënte një deklaratë të tillë, të thoshe e përmbytëm ne anijen e Otrantos.”, tha Dr.Arben Gjoka./K.C/dritare.net

















