Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Debati/ Sherr për bashkëjetesën te Komisioni i Shëndetësisë!

Debati/ Sherr për bashkëjetesën te Komisioni i

Pas Komisionit të Sigurisë, edhe ai i Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale është shoqëruar me debate të ashpra. Duket që palët nuk bien dakord për miratimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 22/2018 “Për strehimin social”’.
Debati filloi nga deputeti Tritan Shehu që insistoi të përjashtohej nga ndihmat sociale për çiftet që nuk janë lidhur në martesë por bashkëjetojnë.
Replikat:
Tritan Shehu: Këtu duhet të ndalojmë se ndryshe vëmë në diskutim ndryshimin e Kodit të Familjes. Është përcaktuar qartë aty çfarë quhet familje. Duhet ta kthejmë projektligjin pas në Komisionin e Ligjeve, ta shohin ata dhe kur ta qartësojnë të na i sjellin pas.
Florenc Spaho: Edhe unë jam dakord me profesor Shehun, nuk quhet familje bashkëjetesa.
Zheni Gjergji: Ka të drejtë profesori, duhet kthyer në Komisionin e Ligjeve.
Klodiana Spahiu: Ju lutem, nuk ka lidhje kjo që thoni, objekti i projektligjit është përcaktuar qartë.
Lindita Buxheli: Po pse çiftet që bashkëjetojnë prej vitesh dhe kanë edhe fëmijë, çfarë quhen?
Tritan Shehu: Nuk quhen familje...
Ilir Metaj: Po çfarë quhen? Tufë?
Me leje Kryetare, mundem? Tani po e bëjmë fiks “ u mbars mali…”Hodhi ai ( Tritan Shehu) një gur në lumë dhe ne tani… Njerëzit e zgjedhin vetë formën si lidhen e trashëgohen, me martesë apo bashkëjetesë. Patjetër që quhen familje dhe si e tillë, do përfitojnë nga shteti çdo shërbim shëndetësor, social apo tjetër, sikurse të gjithë.
Sa për këtë sqimën për formën e familjes, nga po këta njerëz që hodhën në erë përmbajtjen e familjeve atje në Gërdec, apo në 21 janar kur u morën jetën familjeve, lanë jetimë fëmijë, apo hodhën në erë fëmijë e prindër bashkë.
Si nuk u shqetësuan aspak për formën e familjeve atëherë…
Zheni Gjergji: Nuk ka lidhje fare kjo.
Ilir Metaj: Zonjë mos më ndërprir! Kur të mbaroj unë, mund të flasësh! Patjetër që ka lidhje dhe ky është këndvështrimi im! Mos më ndërprir..
Zheni Gjergji: Po, po…turp..
Ilir Metaj: Zonjë, turp është që ju po shkelni etikën duke më ndërprerë ndërsa jam duke folur.Në vendin tuaj do më vinte shumë turp. Po në fakt, nuk ka sesi të ndodhem ndonjëherë në vendin tuaj. Jemi shumë ndryshe.
Kryetare e hedhim në votim të lutem.
Klodiana Spahiu: Kalojmë në votim. Kush është pro miratimit?9 pro, 4 kundër, asnjë abstenim. Atëherë miratohet!/K.C/dritare.net