Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Bujar Luca: Si më ndëshkuan kur në pikturat e mia gjetën portretin e Stalinit!

Bujar Luca: Si më ndëshkuan kur në pikturat e mia gjetën

Pas 33 vitesh jetese në Francë artisti Bujar Luca vjen në Qendrën për Hapje dhe Dialog me ekspozitën e tij “Të prekësh të padukshmen”, ku ekspozohen 71 vepra arti, të mediumit pikturë, vizatim dhe grafikë, të përzgjedhura, si një retrospektivë e krijimtarisë së tij artistike. Në një intervistë për gazetaren Lorena Fjolla në DritareTv, piktori tregoi se përse letra ishte kaq e veçantë për të dhe vihet re shumë në këtë ekspozitë. Zoti Luca rrëfeu një fragment nga jeta e tij si student dhe si u ndëshkua nga komisioni që do t’i kontrollonte punimin e temës së diplomës vetëm se ai kishte pikturuar Stalinin, pa qëllim të keq, në fund të katalogut.


“Këtu jemi në vitet e para të miat në Paris. Është periudha kur unë jam duke bërë përpjekje që të shkëputem nga arti figurativ që jam edukuar, që nuk ishte e lehtë për mua sepse ishin vite të tëra edukim me këtë pikturë, me pikturën tradicionale, ku kishte thellësi, perspektivë dhe figura luante një rol të rëndësishëm. Edhe duket që është një betejë për t’u shkëputur nga figura, perspektiva, për të krijuar atë lëvizjen time që do të vinte më vonë. E veçanta në pikturat e mia është letra. Letra më ka kushtuar shumë kur isha student. Fakti që mungonte letra ishte nga vështirësitë e shumta që hasa. Më mungonin të gjithë materialet dhe kishim vështirë t’i gjenim. Gjatë periudhës kur pata bërë një projekt diplome, në një nga letrat pata shfrytëzuar një katalog, pata punuar në pjesën e pasme, të bardhë të letrës. Kur komisioni e pa që ishte një portret i Stalinit, u revoltuan. Unë u ndëshkova. Për mua ishte një veprim që i kalonte të gjitha caqet e arsyes sepse më privonte nga një vit punë në universitet, që mund të dilja më shpejt për të punuar, për të ndihmuar familjen time, sepse ishim në vështirësi. Unë sapo kisha humbur një nga vëllezërit në një aksident dhe familja ime kishte vështirësi ekonomike.”, u shpreh zoti Luca në DritareTv./K.C/dritare.net