Brunilda Mersini: Zgjedhjet, proces i qetë dhe demokratik
Dritare.net

Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Vlorës, Brunilda Mersini, ka folur mbrëmjen e sotme në emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në Dritare TV, ku ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve të pjesshme lokale si të qetë dhe demokratik.
Gjatë prononcimit të saj, Mersini theksoi se përtej shifrave, më e rëndësishme është mënyra si u zhvillua procesi dhe qetësia me të cilën qytetarët ushtruan të drejtën e votës.
“Unë mendoj që është herët të flasim për shifra. Për mua është më e rëndësishme që ishte një proces i qetë dhe demokratik. Kushtet atmosferike nuk i kemi ne në dorë, por padyshim ndikuan në pjesëmarrje,” – u shpreh ajo.
Ajo shtoi se fushata që zhvilloi ishte “me shumë dimensione” dhe se ndien përgjegjësi të veçantë për faktin se është gruaja e parë që garon për drejtimin e Bashkisë së Vlorës.
“Personalisht është përgjegjësi për mua që jam gruaja e parë që garoj për Bashkinë e Vlorës,” – tha Mersini.
Zgjedhjet e pjesshme lokale u mbajtën këtë të dielë në pesë bashki të vendit: Vlorë, Berat, Tepelenë, Mat dhe Cërrik, ku pjesëmarrja mesatare ishte 18.72%, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve./L.F-dritare.net