
Tunelet e Pirogoshit gjenden pranë kanionit të Gradecit, në të dyja anët e lumit, 3 km nga qyteti i Çorovodës. Tunelet kanë pamjen e një qyteti të vërtetë nëntokësor dhe për ndërtimin e tyre është dashur më shumë se 17 vjet.
Këto tunele shërbenin për të depozituar sasi të mëdha armatimi të shtetit gjatë periudhës së diktaturës. Me rezervat që ndodheshin brenda tyre, në rast lufte shteti shqiptar i kohës mund të luftonte më shumë se 6 muaj.
Në marsin e vitit 1997 Tunelet e Pirogoshit, u hapën nga banorët e zonës, të zemëruar nga falimentimi i firmave piramidale. Ndërhyrja e ish-punonjësve ushtarakë, dhe autoriteteve të rrethit bëri të mundur shmangien e një katastrofe të vërtetë pasi shpërthimi i municioneve brenda tuneleve do të sillte pasoja të paimagjinueshme./L.F-dritare.net

















