Brenda monumentit më unik në Shqipëri! Kjo është Xhamia e Gjin Aleksit!
Dritare.net

Delvina është plot me befasi. Dhe njëra prej tyre është pikërisht Xhamia e Gjin Aleksit. Kjo xhami historike është ndërtuar në shekullin e XVI-të, mbi rrënojat e një kishe bizantine. E veçanta është që brenda kësaj xhamie jetojnë tri kulte, xhamia vetë, një kishë dhe teqeja e bektashinjve. Xhamia e Gjin Aleksit është monument kulture dhe vitet e fundit shfaq interes të lartë për t’u vizituar nga turistë vendas dhe të huaj.
Gazetarja Rudina Xhunga vizitoi këtë xhami dhe bashkë me cicëronin Fatos Dauti treguan pak historik të monumentit kulturor më të veçantë në Shqipëri.

“Kjo xhami është ndërtuar mbi një kishë bizantine rreth shekullit të 16-të. Në të bashkëjetojnë edhe xhamia, edhe teqeja dhe kisha bizantine. Por themelet kanë qenë nga kisha bizantine. Xhamia u ndërtua nga veziri i Turqisë për komunitetin mysliman. Është monument i kategorisë së parë për nga forma dhe ndërtimi i saj me harqe. Kjo xhami frekuentohet nga shumë turistë, sidomos të huajt.”, thotë cicëroni.

Përveç se është një objekt kultesh, xhami është dhe një muze. Nga monumentet e para që është ndërtuar në Shqipëri. Është vendi i parë që vizitohet nga turistët dhe pa dyshim që pas këtij reportazhi do të vizitohet akoma më shumë.

Ajo që duhet të dini është se Xhamia e Gjin Aleksit nuk ka vetëm histori fetare, ka edhe histori kulturore, kinematografike, njerëzore. E dinit që filmi “Njeriu me top” është xhiruar pikërisht në këtë xhami? Madje në derën e saj është shkruar një nga batutat më të famshme të Mato Grudës që do ta lexoni kur ta vizitoni.

Nënkryetarja e Bashkisë së Delvinës Brunilda Meleqi tregon për gazetaren Rudina Xhunga dhe një fakt interesant rreth kësaj xhamie, që lidhet pikërisht me emrin e saj.
“Në këtë xhami vijnë shumë turistë. Janë shumë kuriozë. Ndoshta vijnë për shkak të emrit. Gjin Aleks. Ky emër iu vendos nga burimi i ujit që është ndërtuar nga dy vëllezërit, Gjini dhe Aleksi. Pastaj në 1670-ën u ndërtua xhamia. U shpall monument kulture në vitin 1963 dhe sot është monument kulture i kategorisë së parë.”, tregon zonja Meleqi.

Xhamia e Gjin Aleksit është një kryevepër që duhet ta vizitosh patjetër kur të vesh në Delvinë. Pa dyshim që do të të pëlqejë shumë./K.C/dritare.net
