Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

BBC: Ministra bëni kujdes, IA mund t’ju marrë punën! Ja çfarë thotë Rama për Diellën!

BBC: Ministra bëni kujdes, IA mund t’ju marrë punën! Ja
Foto BBC

Për zyrtarët qeveritarë, të quhesh “i pashpirt” është zakonisht një fyerje, por Shqipëria ka zgjedhur ta kthejë këtë në një cilësi pozitive duke emëruar një ministre të krijuar nga inteligjenca artificiale.

Jo një ministre për inteligjencën artificiale. Përkundrazi, një anëtare e kabinetit qeveritar që është vetë produkt i inteligjencës artificiale.

Kryeministri Edi Rama e prezantoi Diellën si pjesë të kabinetit të tij të ri të enjten, vetëm katër muaj pasi fitoi mandatin e tij të katërt në zgjedhjet e majit.

Emërimi i saj është më tepër simbolik sesa zyrtar.

Diella, emri i së cilës në shqip do të thotë “diell”, nuk ka gjasa të bëhet burim i ndonjë rrjedhjeje informacioni apo skandali të mundshëm. Ajo nuk do të ketë nevoja personale, përveç energjisë elektrike.

Dhe rreziku i përfshirjes së saj në skandale shpenzimesh apo keqpërdorime fondesh publike duket i pamundur.

Roli i saj. Të luftojë korrupsionin në prokurimet publike.

Në fakt, pikërisht korrupsioni ishte arsyeja që e shtyu Edi Ramën ta emërojë Diellën në këtë rol.

“Po punojmë me një ekip të shkëlqyer, jo vetëm shqiptar por edhe ndërkombëtar, për të krijuar modelin e parë të plotë të inteligjencës artificiale në prokurimin publik,” – tha Rama për BBC-në.

“Jo vetëm që do të eliminojmë çdo ndikim të mundshëm njerëzor në ofertat publike, por gjithashtu do ta bëjmë procesin shumë më të shpejtë, shumë më efikas dhe plotësisht të përgjegjshëm.”

Kush është Diella?

BBC shkruan se Diella nuk është krejtësisht e re në sistemin publik shqiptar. Ajo ka funksionuar prej vitesh si një asistente virtuale në platformën qeveritare e-Albania, duke ndihmuar qytetarët gjatë aplikimeve për dokumente zyrtare.

Sipas Ramës, Diella ka ndihmuar më shumë se një milion aplikime në këtë platformë.

Por vizioni i kryeministrit shkon shumë përtej një chatbot-i klasik. Ai synon që Shqipëria të kapërcejë edhe vendet më të përparuara:

“Shumë vende të mëdha janë ende të mbërthyera në mënyrat tradicionale të punës,” tha ai. “Ne po i kapërcejmë.”

Reagimet ndaj ministres së re

Partia Demokratike në opozitë e ka cilësuar këtë iniciativë si “qesharake” dhe “jokushtetuese”.

Nga ana tjetër, ka edhe zëra që shohin potencial në këtë hap.

Aneida Bajraktari Bicja, themeluese e kompanisë “Balkans Capital”, thotë për BBC se:

“Rama shpesh e përzien reformën me teatralitetin, prandaj është e natyrshme që njerëzit të pyesin veten nëse kjo është thjesht simbolike. Një ministre e Inteligjencës Artificiale’ mund të jetë konstruktiv nëse ndërtohet mbi sisteme reale që rrisin transparencën dhe besimin në prokurimet publike.

Edhe ekspertët ndërkombëtarë kundër korrupsionit ndajnë një qëndrim të ngjashëm.

Dr. Andi Hoxhaj, studiues në King’s College London dhe specialist për Ballkanin Perëndimor, thotë për BBC:

“Inteligjenca artificiale është ende një mjet i ri, por nëse programohet saktë, mund të ndihmojë që ofertat online të kontrollohen në mënyrë transparente dhe të qartë – për të parë nëse një kompani i përmbush vërtet kriteret.”

Ai thekson gjithashtu se përparimi i shpejtë i Shqipërisë në bisedimet për anëtarësim në BE, si dhe synimi për t’i përmbyllur negociatat deri më 2027, i japin vendit një nxitje shumë të fortë për të luftuar korrupsionin:

“Ka shumë gjëra në lojë. Kërkesa kryesore nga BE ka qenë adresimi i korrupsionit. Nëse Diella mund të përdoret si mjet për këtë qëllim, atëherë vlen të merret seriozisht.”

Edi Rama pranon se prezantimi i Diellës përmban edhe një element publiciteti dhe simbolike, por ai këmbëngul se pas këtij “show”-i fshihet një qëllim serioz:

“Kjo ushtron presion mbi ministrat e tjerë dhe mbi agjencitë shtetërore që të punojnë ndryshe, të mendojnë ndryshe,” tha ai.

“Ky është përfitimi më i madh që pres nga kjo ministre”

BBC e përmbyll shkrimin me humor duke shkruar:

“Ministrat duhet të bëjnë kujdes inteligjenca artificiale mund t’ua marrë edhe vendin e punës.”/BBC E.P-dritare.net