Balluku reagon për herë të parë: Nuk do të sulmoj drejtësinë, do të pres që e vërteta të dalë në dritë!
Dritare.net

Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka reaguar pas zhvillimeve të ditëve të fundit, duke theksuar se pavarësisht “baltës, aludimeve dhe gjysmë të vërtetave” që qarkullojnë, ajo ndjehet e detyruar t’u flasë qytetarëve që i kanë besuar përfaqësimin e tyre.
Balluku thotë se nuk ka ndërmend t’i kundërvihet drejtësisë, edhe kur çështjet prekin personalisht atë.
"Sot në Kuvend ndava disa fjalë me qytetarët, që më kanë besuar përfaqësimin e tyre, jo për të kompensuar baltën, aludimet, gjysmë të vërtetat apo gënjeshtrat e thëna me bollëk këto kohë, por për detyrimin që kam ndaj kujtdo në këtë vend, që ka vendosur të vlerësoj punën e jo baltën.
Nuk do të dëgjoni kurrë nga unë akuza, sharje e kërcënime për drejtësinë e re, edhe kur prekem personalisht, as himne e lëvdata, pasi besoj thellësisht se kjo drejtësi e re, e dalë nga reforma, produkt i vullnetit politik të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, duke kryer misionin për të cilin u reformua, patjetër me pikat e saj të forta e të dobëta, si gjithçka e re që do të konsolidohet dita ditës.
Nuk do të merrem kurrë me prokurorë e gjyqtarë, pasi secili prej tyre bën detyrën ashtu si e gjykon. Nuk do të prononcohem për çështje nën hetim pasi ato kanë rrugën e tyre, të cilën do e ndjek me diskrecion të plotë, derisa e vërteta të marrë formë të prerë, cilado qoftë kjo", shkruan Balluku./dritare.net