Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Bajram Yzeiraj: Unë isha drejtor policie kur u sulmuan ambasadat në 1990-ën. Ju tregoj çfarë ndodhi!

Bajram Yzeiraj: Unë isha drejtor policie kur u sulmuan ambasadat në

Bajram Yzeiraj ishte drejtor policie kur ndodhën sulmet ndaj ambasadave më 2 korrik 1990 dhe pastaj ministër i Rendit kur ndodhi eksodi i mijëra shqiptarëve në 1991-shin që rrëmbyen anijet edhe ikën nga Vlora dhe Durrësit, drejt Italisë. Në një bisedë për gazetaren Rudina Xhunga, zoti Yzeiraj flet për të dyja ngjarjet dhe tregon se policia ishte e pafuqishme përballë mijëra shqiptarëve të uritur, të zemëruar.

“Sulmi i ambasadave 2 korrik 1990!

Këto ngjarje janë të jashtëzakonshme. Sistemi shtetëror me gjithë institucionet e tij kishte vajtur në atë pikë ku nuk mbante më. Kjo shoqëri e papunë, e varfër, e mbyllur në një vathë që nuk i lejohej të dilte, puna e parë që bëri ishte sulmi ndaj ambasadave. Policia ishte e vetme. Në atë kohë të tërë u tërhoqën dhe mbeti vetëm policia, e cila dilte në rrugë e organizuar për të mbajtur popullin, aq sa mund ta mbante. Kishte presion se përse nuk ishte më e ashpër policia për të përdorur forcë. Presionet bëheshin nëpër mbledhje zyrtare. Ai që drejtonte mbledhjen i binte tavolinës dhe thoshte: “Çfarë bëni juve. Pse nuk i ndaloni?” Në këto kushte qoftë për hyrjen në ambasada, qoftë për eksodin nga Durrësi, nga Vlora, ishte e pamundur që këto forca policie të mbanin njerëzit. Nuk i mbanim dot. Ajo masë njerëzish me shpirtin e revoltuar, ishte e pangrënë, ata e shqyenin policin nëse do i ndalonte. Ne nuk qëlluam kurrë ndaj turmës. Ligji për tubimet që ishte atëherë ta ndalonte përdorimin e armës.

Ngjarja e ambasadave u mundua me masa të karakterit fizik, edhe askush nuk tha pse nuk u përdor armë. Atëherë ndryshoi edhe ligji, nuk trajtohej si arratisje, por kalim i paligjshëm i kufirit. Po të kaloje kufirin ishte kundërvajtje penale dhe dënoheshe me 2 vjet burg. Kjo e ndihmoi shumë policinë. Edhe njerëzve të policisë u ikte vëllai, motra, fëmija. Edhe sikur ta kishte për detyrë një polic nuk mund të gjuante ndaj fëmijës. Unë isha drejtues i policisë dhe kisha dy nipërit, studentë që kishin hyrë në ambasada. Nuk i kërkova kurrë të dalin jashtë.

Eksodi i shqiptarëve gusht 1991

Në eksodin e Durrësit dhe Vlorës nga shef policie unë u bëra ministër Rendi. Por e kam prezantuar qëndrimin tim në mbledhjen e qeverisë: “Unë do drejtoj si shef policie, jo si politikan.” Se po të drejtoja si politikan, do mbroja interesat politike. Kur ndodhi eksodi, na bënë ne përgjegjës. Ikëm dy ekipe njëri në Vlorë dhe tjetri në Durrës. Gramoz Pashko që më shoqëronte mua në Vlorë kur policët e dhunuar e të fashuar me tha: “Do flas unë në mbledhjen e qeverise.” Ai bëri një mbrojtje të jashtëzakonshme ndaj policisë: “Policia nuk ka për t’i përdorur kurrë armët sa të jem unë. Nuk mund të vrasim njerëz. Këto probleme kërkojnë zgjidhje politike. Ne do bëjmë më të mirën e mundshme me shërbime.”, tha zëvendësministri Pashko dhe kështu u mbyll kjo ngjarje.”, tregon zoti Yzeiraj në DritareTV./K.C/dritare.net