Na ndiqni edhe në

Shqip

Ish-këshilltari: Ku gaboi ish-ministri Saimir Tahiri!

Ish-këshilltari: Ku gaboi ish-ministri Saimir Tahiri!

Bajram Yzeiraj shërbeu si këshilltar i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, në 2013 kur ai mori detyrën. I ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, zoti Yzeiraj tregon bashkëpunimin me zotin Tahiri, se si pasioni e ngriti lart figurën e tij si ministër, por mania për të qenë i pushtetshëm edhe përtej ministrisë së tij, e rrëzoi.


“Saimir Tahiri u dënua se duhej dënuar por nuk ka prova për dënimin e tij. Ai u dënua për shpërdorim detyre, por akuza ishte për grup të strukturuar kriminal. Nëse gjykata nuk mund ta provojë akuzën, ajo duhet pushuar dhe dhënë pafajësi. Në raport me akuzën që kishte Tahiri është dënuar pa prova.
Si u bë Ministër Saimir Tahiri?
Kur më thirri për të bërë programin për Rendin dhe Sigurinë, para zgjedhjeve të 2013 Saimir Tahiri, më kërkoi të isha këshilltar. E pyeta se kush më ka propozuar sepse unë nuk vij më në ministri. Por të më përgjigjej që më kishte kërkuar partia do i thosha që jo sepse unë e kisha mbyllur marrëdhënien me partitë. Më thanë të kërkojnë oficerët e partisë. Nëse është kështu i thashë, unë do vij sepse nuk i kam lënë dhe nuk do t’i lë në baltë kështu që do të vij të kontribuoj. Humba gjysmën e rrogës asokohe sepse kisha një rrogë të majme si dekan fakulteti. Por shkova në mënyrë të ndërtoja policinë dhe shkollën e policisë që ishte prishur. Tahiri i mirëpriste idetë, ishte shumë pasionant, por kishte mungesë eksperience në drejtimin administrativ. Nuk i kishte shumë qejf planet dhe programet por ishte shumë energjik.
Nuk kaluan shumë muaj dhe shumë gjëra nisën të viheshin në vijë për ligjin e ri, organizimin e punës. Ndër ato që synuam të ndryshonim ishte lëvizja e kuadrove, nxjerrja në lirim pa pasur kritere sepse kjo ishte tejet e politizuar.
Më kujtohet rasti kur 5 kuadro u panë duke pirë në lokal, që mund të ishte kushdo. Pse duhet ata të liroheshin? Kjo nuk duhet të ndodhte. Drejtuesit e policisë nuk duhet të lirohen për këto arsye. Shkruaje çfarë ankesash ka për figurën, arsimin, integritetin dhe nxirre në lirim.
Nxjerrja në lirim duhet të bëhet në bazë të kritereve ligjore, jo në bazë të opinionit apo vlerësime subjektive të karakterit politik. Emrat magazinoheshin në akademi u nxorën në lirim dhe më pas i mori sërish në polici Muhamet Rrbmullaku. Do të thotë që unë kisha të drejtë dhe ministri gaboi nga pasioni politik.
Por ministri nuk është për të bërë politikë, por për të bërë politikë përmes ligjeve dhe programeve. Kjo do të thotë që ministri nuk është fuqiplotë që mund të bëjë gjithçka dhe drejtori i policisë ti thotë si urdhëro.
Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Policisë duhet të bëjë gjithsecili punën e tij, të mos ndërhyjnë në punën e njëri-tjetrit. Ministri duhet të merret me politikat ndërsa drejtori i Policisë duhet të zbatojë dhe ekzekutojë programet e qeverisë por gjithmonë brenda procedurave ligjore.
Pse dështoi Saimir Tahiri?
Në gjykimin tim një ndër shkaqet është raportet me drejtorin e Policisë dhe mos pozicionimi në objektivin e punës së tij. Ai mund ta kontrollonte Drejtorin e policisë, por jo të ndërhynte në punën e tij. Saimir Tahiri nisi t’i kontrollonte vetë shefat e policisë, i thirrte në zyrën e tij natën. I merrte vetë në pyetje. Ç’punë ka ministri të bëjë këtë gjë? Ai nuk është i plotfuqishëm. Kjo ishte në kundërshtim me ligjin. Unë e kam këshilluar të mos e bëjë këtë sepse një ditë ai duhet të jepte llogari për këto veprime.
Për mua nëse ai do merrej vetëm me detyrën e tij, do të kishte sukses të padiskutueshëm. Ai doli jashtë detyrës dhe kjo i kushtoi shtrenjtë.
Unë nuk e di saktësisht nëse ai ka përfituar nga posti i ministrit, por unë nuk e besoj që Tahiri të kishte marrëveshje me krimin. Një ditë pas 5 muajve në detyrë si këshilltar i Tahirit, ai më tha ekzaktësisht: Profesor, boll më me ligjin. na lër të punojmë!
Të vaftë mbarë i thashë. Por unë në ndërgjegje isha i qetë. Atë që dija nga eksperienca ime, e dhashë në detyrën time si këshilltar. Por më vjen keq që përfundoi kështu.
Për mendimin tim në rastin e Saimir Tahirit u shfrytëzua akuza e shpërdorimit të detyrës, për të mos e lënë pa dënim, por unë mendoj që ish-ministri është i pafajshëm me akuzën që iu ngrit. Në proces gjyqësor atij nuk iu provua akuza”, u shpreh zoti Yzeiraj në Dritare TV./L.F-dritare.net