Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Arjana Rreli: Si ta kuptoni nëse vuani nga problemet e shëndetit mendor!

Arjana Rreli: Si ta kuptoni nëse vuani nga problemet e shëndetit

Psikiatrja Arjan Rreli e ftuar në Lajmet në Dritare foli për problemet e shëndetit mendor. Ajo tha se grupmoshat më të prekura në vend që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor, janë ata nga 20 deri në 40 vjeç. Tërmeti dhe pandemia, tha më tej Rreli, ishin dy faktorët që kanë ndikuar në përkeqësimin e shëndetit të përgjithshëm mendor.

Arjana Rreli: Është një gjë e vërtetë që pandemia por jo vetëm por edhe tërmeti ka sjellë një tjetër këndvështrim përsa i përket problemeve të shëndetit mendor. Nisur nga fakti që tashmë duket sikur të gjithë njerëzit janë deri diku të prekur dhe kjo gjë i ka bërë ato që të mendojnë që edhe për problemet e shëndetit mendor nuk kanë ndonjë mburojë. Truri është një organ si gjithë të tjerët madje edhe më shumë i prekshëm, por nga ana tjetër edhe nga vetë koha ka rritur problematikat. Pra duke folur për eksperiencat tona si profesionistë të shëndetit mendor, unë mendoj se të gjithë themi një zëri se jo vetëm mendësia ka ndryshuar pra aktualisht popullata e pranon me më sportivitet apo më pak komplekse problematikat e shëndetit mendor, por nga ana tjetër janë rritur ankesat edhe për faktin që është vetë koha që prodhon probleme të lidhura me shëndetin mendor për shkak të stresit masiv në popullatë pasojë qoftë e tërmetit qoftë e kovidit.

Athina Lolo: A kemi të bëjmë vetëm me probleme të ankthit apo ka edhe shqetësime të tjera?

Arjana Rreli: Për fatin e mirë këto janë problemet minore të shëndetit mendor pra problemet e lidhura me stresin. Ataku i panikut është një gjendje ankthi po që e fut personin në alarm, shoqëruar jo rrallë herë me çrregullime të humorit, pjesë e të cilave janë pagjumësia, ndryshimet në mënyrën e të menduarit, por edhe luhatjet e mëdha të humorit, kështu që edhe pse janë çrregullimet e vogla ato të lidhura me ankthin me atakun e panikut, nuk ka munguar edhe rëndimi i sëmundjeve madhore. Siç ne kemi çrregullimet e mëdha të humorit, të lidhura me depresionin, çrregullimet bipolare çrregullimet psikotike të cilat janë favorizuar shumë edhe nga si covid-19 erdhi edhe me disa rregulla të kufizimit social që deri diku ndikojnë edhe ato tek shfaqja apo rëndesa e këtyre problemeve madhore.

Grupmoshat më të prekura janë 20-40 vjeçarët ku vihet re që kanë më tepër tendencën që të tregojnë problematikën e tyre. Kjo grupmoshë fillon të marrë përgjegjësitë e veta ose është në krye të një familjeje dhe do të çojë mbarëvajtjen e saj përpara. Kështu nuk mungojnë rastet edhe tek më të rinjtë, patjetër që ka edhe tek fëmijët gjendje të ankthit por të njëjtat gjendje mund të hasen edhe në grupmoshat më të mëdha se 40, vihet re gjithashtu problematik edhe tek mosha e tretë e cila vuan më së shumti nga sëmundjet kronike të cilat padiskutim që ndikojnë edhe në shëndetin mendor. Është edhe grupmosha që po përballet shumë më tepër me vetminë, pasi dihet që sot koha kërkon që gjithkush të shfrytëzojë kapacitetet e veta ndoshta edhe jashtë vendit. Duke lënë pas edhe prindërit me vetminë e tyre duke i predispozuar ata edhe kështu për probleme siç janë gjendjet e mëdha depresive apo dhe demencat dhe alzhaimeri.

Athina Lolo: A janë të rinjtë më të predispozuar për t’u rrezikuar nga problematikat e shëndetit mendor?

Arjana Rreli: Në fakt grupmosha e të rinjve vuajti me specifikat e saj pandeminë, sistemi online i mësimdhënies i reduktoi raportet e tyre sociale që janë shumë të rëndësishme për këtë lloj grupmoshe. Por krijoi premisa edhe për t’i izoluar ata për t’u mësuar me këtë lloj tërheqjeje sociale, gjë që kompromentoi shumë rëndë mënyrën e të menduarit duke çuar në psikoza dhe nuk kanë qenë të rralla psikozat në grupmoshën e të rinjve . Një faktor tjetër është edhe përdorimi i substancave pa kriter për t’u “vetëqetësuar” por që nuk është kurrë kjo një zgjidhje, aq më tepër i substancave narkotike si për të mpirë problematikën me të cilën ato hasen./Dritare.net