
Adisa Gjomemo tregon karantinën në Oman: Këtu është 35 gradë, por i nxehti nuk e ka vrarë koronavirusin!
Dritare.net
Nuk është shumë e ndryshme karantina në Shqipëri, në krahasim me vendet tjera fqinje. Por si është të jesh e izoluar në Oman? Blogerja Adisa Gjomemo, iu bashkua sot ftesës së Dritare.net, ku në një lidhje live, na tregoi për izolimin e saj atje. Prej disa vjetësh ajo jetën në Oman, së bashku me bashkëshortin e saj. Jeta e saj si e shumë të tjerëve, ndryshoi krejt pa pritur me shpërthimin e koronavirusit. Si pjesa më e madhe e botës, edhe Omani është izoluar. Ndonëse temperaturat janë mbi 35 gradë, siç tregoi Adisa, janë mbi 1200 persona që janë infektuar me Covid-19.
“Siç duket miti i të ardhurit të nxehtit dhe largimit të virusit, nuk qëndron. Kështu që le të shpresojmë që sa më shpejt të krijohet një vaksinë”.
Në të gjithë vendin janë mbyllur qendrat tregtare tregon Adisa. Po kështu edhe aeroporti, dhe që prej shpërthimit të virusit, fluturimet janë anuluar, duke mos lejuar askënd të futet në Oman.
“Duke u gjendur në këtë situatë, shteti do të testojë të gjithë personat që shfaqin simptoma të koronavirusit. Po kështu do të vijohet gjurmimi i rasteve. E gjithë kjo do të financohet nga vetë shteti. Kjo na bën më shumë optimistë, pasi njerëzit nuk do të kenë frikë t’i drejtohen spitaleve nëse kanë simptoma, dhe ne do të ndjehemi më të sigurtë”.
Adisa këshillon që t’i marrim më të mirën kësaj situate. Kush tjetër si ajo, ndërkohë që jetonte me prindërit, nuk tregoi interes për të gatuar apo ndihmuar mamanë në punët e shtëpisë? Epo tani është koha ta bëni.
“Ky është një moment kur jeta të hedh diku, dhe ti duhet të jesh vetë e zonja e shtëpisë tënde. Dhe nuk ke si t’ia bësh ndryshe pa gatuar, apo pa u kujdesur për shtëpinë. Tani futem në kuzhinë dhe gatuaj. Më besoni është koha e duhur të mësoni të gatuani. Po kështu do ju bëjë të ndjeheni mirë. Edhe nëse jeni çift gatuani bashkë, është një kohë e vlefshme për marrëdhënien tuaj”.
Në rutinën e Adisës, bën pjesë edhe stërvitja. Nëse edhe ju si ajo, nuk keni dëshirë apo motivim të ushtroheni çdo ditë, të paktën bëjeni 3 herë në javë. Do t’ju vlejë për trupin dhe trurin. Po kështu Adisa nuk është e dhënë fort pas filmave, ndaj më shumë kohë i kushton librave.
“Përpiquni që në këto kohë të rregulloni marrëdhëniet tuaj me familjen apo me partnerin. Shfrytëzojeni këtë periudhë të rrisni komunikimin. Nëse keni më parë puna dhe aktivitetet ju merrnin shumë kohë, tashmë jeta ju ka dhënë këtë favor. Qëndroni së bashku me njëri-tjetrin. Fundi që po kërkojmë aq shumë do të vijë patjetër, ndaj mendoni pozitivisht”./L.F-dritare.net

















