Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

7 ditë zi në Maqedoninë e Veriut! 59 viktima e 155 të plagosur pas flakëve në një klub!

7 ditë zi në Maqedoninë e Veriut! 59 viktima e 155 të

Një tragjedi e rëndë në Maqedoninë e Veriut, ku 59 të rinj kanë humbur jetën si pasojë e flakëve që kanë përfshirë një lokal nate.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të 16 marsit, në klubin e natës “Koçani Puls” dhe si pasojë e flakëve 155 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Në diskotekë ishin rreth 500 të rinj, duke ndjekur një performancë nga bendi maqedonas DNA, një grup i famshëm vendas. Në mesin e viktimave janë edhe 4 anëtarë të këtij grupi.

Mbi 15 persona janë arrestuar e disa të tjerë janë shoqëruar në lidhje me zjarrin që shpërtheu në diskotekën në Koçan. Në mesin e të arrestuarve ka organizatorë të festës në klubin e natës, por edhe përfaqësues institucionesh si ish sekretarja e Ministrisë së Ekonomisë, Razmina Çekiç.

Qeveria maqedonase vendosi për shpalljen e 7 ditëve zie në mbarë vendin. Gjithashtu, u mor vendim që detyron Inspektoratin Shtetëror të Tregut të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike (klube nate, diskoteka dhe diskoteka të hapura) në vendin dhe të njoftojë menjëherë Qeverinë për konstatimet e inspektimit në tre ditët e ardhshme, për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me kushtet.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, mbajti një fjalim për tragjedinë në Koçan ku shprehet:

“Jam thyer dhe më është thyer shpirti”, këto ishin fjalët e para që kryeministrit maqedonas për tragjedinë që ka tronditur vendin dhe mbarë botën.

“Do të ketë hapa dhe vendime me të cilat publiku nuk është mësuar. Por ndryshimet nisin nga ne”, tha kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij sot.

“Jam i vendosur dhe do të veproj me vendosmëri. Nuk dua që kjo ngjarje të politizohet, se dikush po përpiqet të bindë një palë tjetër për përgjegjësi. Kjo nuk është një betejë ndërpartiake, kjo është një betejë e të ndershmëve kundër të pandershmëve”, tha Mickoski.

“Në ditët në vijim do të marrim një sërë masash që do të thonë shumë, në luftën për këtë vend dhe në emër të të gjithë viktimave të kësaj tragjedie dhe familjeve të tyre”, tha Mickoski./E.P-dritare. net