Na ndiqni edhe në

Kuzhinë

Nga Tropoja në Lion, princi shqiptar i kuzhinës franceze

Nga Tropoja në Lion, princi shqiptar i kuzhinës franceze
Nga Edlira Ruzi

Ky shkrim këshillohet të shoqërohet me miks djathërash francezë. Kurse mua mu desh të haja një crème brulee ndërsa e shkruaja, sepse përpiqem të jem e ëmbël me ata që dua. Ju bëftë mire! :)

Deri para një jave nuk kisha dëgjuar kurrë për një fshat të vogël të Tropojës të quajtur Tplan.

"-Po ti a e njeh?" - pyeta një koleg.

"-Po, - tha. – I vogël, mes malesh dhe i braktisur nga njerëzit".

Ndërsa ai tregonte, mua më kujtohej “Princi i vogël” i Exupery, kur thoshte: “Ajo çka e bën shkretëtirën të bukur është se diku atje ka një burim.”  Ashtu siç është burimi për shkretëtirën, ashtu i shoh talentet për Shqipërinë, burime jete dhe shprese.

Fati e deshi që një javë më parë të njihja një 20 vjeçar nga Tplani i Tropojës. Armand Hasanpapaj është talenti më i ri i gastronomisë franceze, i cili do ju japë një arsye më shumë për t’u ndjerë krenarë.

Ua kishte marrë mendja se një tropojan do të fitonte çmimin e parë në konkursin rajonal të shkollave të gastronomisë franceze? Djaloshi me portret të paqtë jeton prej 4 vitesh në Lion të Francës, bashkë me familjen. Ai ja arriti të kapërcente pengesat që sillte mosnjohja e gjuhës e të qenit i huaj, në vendin me kuzhinën më të vlerësuar në botë dhe sot kushdo që e njeh, mund të krenohet me arritjet e tij.

Përveç  çmimit të parë në konkursin rajonal, ai është shpallur edhe studenti më i mirë i Akademisë së Lionit. Çmim të cilin ja dorëzoi vetë rektorja dhe tashmë fotografia e tij shfaqet në të gjitha ekranet në mjediset e akademisë.

Duke qenë se është në vitin e tretë e të fundit, Armandi është përqendruar tek studimet. Ai punon vetëm në fundjavë, sigurisht në profesionin e tij. Çmimi i gastronomisë dhe renditja i pari ndër studentët e ekselencës e kanë motivuar të studiojë e punojë edhe më fort.

Ai kujton me emocion ditën kur u vlerësua nga një juri shefash me yje Michelin. Më të mirët e Francës “meileur ouvrier de France”, pikërisht ata që mbajnë rreth qafës shiritin me ngjyrat e flamurit francez, përzgjodhën 6 shefa të rinj  dhe i sfiduan të gatuanin një pjatë të parë dhe një ëmbëlsirë, për 4 persona. Kriteri i vetëm ishte që shefat e rinj të bazoheshin në aroma dhe lule, për të realizuar pjatat e tyre, në jo më shume se 3 orë e gjysmë. I kërkova Armandit të më tregonte pjatat me të cilat arriti të dilte i pari dhe ai përveç fotove, bëri edhe një përshkrim të shkurtër.

E para ishte një kompozim i peshkut barbun me gnocchi gështenje, pure topinamburi dhe chipsa të një perimeje të njohur në Francë me emrin “panais”.

Ndërsa ëmbëlsira përbëhej nga akullore me koriandër, shoqëruar me krem çokollate të bardhë dhe agrume, në një shtrat thërrmijash mielli të përpunuar me gjalpë.

Si çdo profesionist që ka nisur shkallët drejt suksesit Armandi e ka të qartë se çfarë kërkon nga vetja dhe si do t’i arrijë objektivat. Pas 3 viteve akademi, që tashmë po u vjen fundi, ai thotë se do të bëjë 2 vite specializim dhe më pas dëshiron të hapë një restorant të tijin, kuzhinë franceze, por jashtë Francës, për shembull në Japoni ose Tajlandë. E të mendosh se gjithçka nisi në Tropojë…/dritare.net