

«Në shkollë nuk guxojmë të flasim shqip.
Shqipja nuk është gjuhë,
thotë mësuesi.
Ai flet vetëm italisht.
Askush nuk na kupton.
Tani e di përse prindërit e mi
nuk i merr vesh askush në mërgim.»
Kjo është Kalabria e viteve ’50 dhe ’60 në kujtimet e Francesco Micielit, një shkrimtar arbëresh, i cili është rritur në Zvicër dhe jeton në Bernë. Në veprën e tij «Unë vetëm e di se babai im i ka duart e mëdha» Micieli përshkruan botën e tij fëmijërore në jug të Italisë, mallin për babanë që punon në mërgim, në Zvicër, diku larg, diku pas shtatë maleve, kodrave dhe bjeshkëve. Në këto rrëfime natyrisht nuk mungojnë kujtimet për duart e gjyshes, për hallet dhe kokëçarjet e nënës, nuk mungojnë as thashethemet e provincës italiane – dhe prifti, i cili i lexon letrat e babait të dërguara nga mërgimi.
«Babai im është në mërgim.
Kur je në mërgim, je larg.
Matanë kodrave.
Dhe mund të vish vetëm njëherë në vit.
Pasi që babai im është shumë larg, ai dërgon para.
Që nëna ime dhe unë të mund të jetojmë.
Nuk e njoh babanë tim.
Unë vetëm e di se babai im i ka duart e mëdha
dhe mustaqe.
Kur vjen
më sjell çokollata
dhe për nënën një fustan.
Atëherë i them,
faleminderit baba.»
Micieli shkruan me një gjuhë jopretencioze dhe pikërisht këtu qëndron fuqia e veprave të tij, në të cilat ai krijon mrekulli të vogla me fjalë gjermane, copëza këngësh arbëreshe dhe me tregime nga jeta në mërgim e gjeneratës së parë të punëtorëve italianë në Zvicër. Me fjali të thjeshta ai shpalos ironinë, por edhe dhembjen e jetës «diku në mes», as atje, as këtu, as në mërgim, as në Itali, dhe – edhe atje, edhe këtu njëkohësisht. Në veprat e tij Micieli nënvizon të drejtën për të qenë ndryshe nga të tjerët, arbëresh dhe italian, zviceran dhe qytetar i botës, folës i gjermanishtes, italishtes dhe frëngjishtes, pastaj adhurues i dialektit të Bernës, ku qumështit nuk i thonë «Milch», por «Miuch» (miuh) dhe ku njerëzit komunikojnë me një gjuhë «salto mortale», me fjalë akrobatike, saqë kush i përdor rrezikon ta dëmtojë gjuhën dhe të shkojë te ortopedi. Për shembull: «Himmugüegeli», «Chiubigigu», «E hiube Hinecht!» Për Micielin dialekti i Bernës është gjendje shpirtërore, ai thotë se është «mehrheimisch», «shumëvendlindor», një njeri me shumë vendlindje, gjithsesi edhe kalabrez me dashuri të madhe për gjuhën shqipe.
Francesco Micieli u lind në vitin 1956 në Santa Sofia d’Epiro dhe jeton në Zvicër që nga viti 1965. Ka studiuar romanistikën dhe gjermanistikën në Bernë, Firencë dhe Kozencë. Ka qenë regjisor, aktor dhe drejtues teatri. Jeton në Bernë si shkrimtar dhe docent në Shkollën e Lartë të Arteve në Bernë. Shkruan tregime, monologë, librete, pjesë teatrale, poezi.
Në tregimin «Schwazzenbach», botuar për herë të parë në vitin 2012, Micieli si në pothuaj çdo vepër të tij merret me temën e mërgimit, me mosdurimin e zviceranëve ndaj të huajve, me keqkuptimet mes «ardhacakëve» dhe «autoktonëve». Në fund të viteve ’60 në Zvicër ka ekzistuar një disponim tejet armiqësor i jo pak zviceranëve ndaj punëtorëve nga Italia. Ata shikoheshin si njerëz dashakeqës, që po ua merrnin zviceranëve vendet e punës dhe po sillnin në Zvicër një kulturë tjetër të komunikimit ndërnjerëzor. Ose thënë më ndryshe: zviceranët e mbyllur në botën e tyre dhe skeptik ndaj çdo të huaji, s’ndiheshin rehat me spontanitetin e italianëve, të cilët flisnin, hanin e pinin njëkohësisht, pastaj këndonin, e ndonjëherë edhe fjaloseshin mes vete. Më 16 qershor 1970 burrat zviceranë (atëbotë gratë nuk kanë pasur të drejtë vote në Zvicër) hodhën poshtë iniciativën e politikanit popullist James Schwarzenbach, e cila parashihte kufizimin e numrit të të huajve në Zvicër.
Në tregimin «Schwazzenbach» Micieli kështu e përshkruan atmosferën në fshatin e tij zviceran para se të votohej për nismën populliste kundër të huajve: «Beatles ishin ndarë, Janis Joplin dhe Jimmy Hendrix kishin vdekur, James Schwarzenbach dëshironte t’i bënte copë e grimë italianët. Angelo vendosi të mos i shkurtojë më flokët dhe dukej si Sautschingg (sauçink, derr italian). Në shkollë duhej të ulej në rendin e fundit, sepse flokët e tij e bllokonin pamjen drejt dërrasës së zezë».
Zvicra nuk dëshironte që këta njerëz të binin në sy. «Të shkojë në punë, por të mos zë vend në tren. Të kthehet në shtëpi dhe të mbyllet. Zvicra nuk do të duhej të vërente fare se ajo ishte këtu». Kështu e përshkruan Miceli një nënë italiane në tregimin e tij.
Sot gjithçka është ndryshe. Edhe zviceranët e kodrave më të larta u vënë fëmijëve emra italianë dhe nëse ndokush do të dilte me idenë e përzënies së italianëve do të vritej me shigjetë si në kohërat më të lashta të Zvicrës. Italianët kanë sjellë në Zvicër jo vetëm kuzhinën e tyre fantastike (duke ua kujtuar zviceranëve se përveç djathit hahet edhe hudhra dhe ushqimi mund të përgatitet me vaj ulliri). Italianët sollën në Zvicër edhe talente si Francesco Micieli, i cili është një kronist i historisë së re të emigracionit./dialogplus.ch

















