
Muzeu i Hebrenjve, muzeu i zemrës së bardhë të Beratit!
Dritare.net

Një grua veshur me të zeza fton turistë të huaj dhe vendas, të vizitojnë muzeun që burri i saj i ndjerë, Simon Vrusho e hapi me kaq shumë dashuri dhe e mirëmbajtën me pensionin e tyre modest.
Është Muzeu i Hebrenjve që sapo është rihapur në zemër të qytetit, duke u shpërngulur nga qoshja e vogël, ku ndodhej më parë.
Nëse shkon në Berat, nuk ndodh që të kthehesh në shtëpi pa parë këtë muze, të vogël, por me pasuri të mëdha.
Në Berat ka shumë muzeume, është ai mesjetar i Onufrit, muzeu etnografik. Aty ka artefakte që tregojnë qytetërimin e këtij vendi. Por Muzeu i Solomonit tregon diçka më shumë. Tregon shpirtin e madh të shqiptarëve. Është muzeu i dashurisë, i vetmi në Shqipëri dhe ndër të paktët në botë, ku zakonisht muzeumet kushtuar hebrenjve tregojnë vuajtjet e tyre çnjerëzore.
Shqipëria i hapi dyer dhe zemër hebrenjve. Ndaj një muze si ky i Beratit ka histori të shumta. Ai tregon me foto beratas që shpëtuan hebrenjtë, të rënët në luftë, histori jete.
Muzeu i Solomonit fokusohet kryesisht te shpëtimi dhe strehimi në Berat i 601 hebrenjve, që vinin nga Çekia, Austria, Gjermania dhe shumë e shumë vende të tjera.
Historia nuk nis me luftën. Ajo daton shekuj më parë. 25 familjet e para hebreje, janë strehuar në Berat në shekullin e 15-të.
Historia e Sabatai Zevit është në këtë muze. Një guide e muzeut tregon për dritare.net historinë e Zevit, i cili ishte i pari që është strehuar në Berat. Pretendonte se ishte i dërguari i Zotit, dhe donte të krijonte shtetin e pavarur të Izraelit dhe sulltani u detyrua të internonte. Ndryshoi dhe emrin, dhe shumë kërkues pretendojnë se varri i Sabatai Zevit ndodhet në Berat.
Me siguri ju nuk e dinit që 9 hebrenj, 6 prej të cilëve ishin nga Berati, u vranë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, dhanë jetën për Beratin. Emrat dhe fotot e hebrenjve të rënë në luftë, janë të vendosura në muret e muzeut.
Solomoni ka shumë histori të bukura për të treguar.
Njëra nga ato është ajo e familjes Cakrani. Kadri Cakrani, bashkëpunëtor i gjermanëve, mori hebrenj, dhe i fshehu në shtëpinë e tij në Mallakastër. Kur gjermanët shkuan në Berat, ai nuk i kallëzoi hebrenjtë.
Nuk duhet humbur as historia e mjekut hebre, Zino Mathatia. Erdhi një njeri nga Tirana, dhe u bë katër vetë në Berat, formoi familje. Tani jeton në Izrael po kurrë nuk e harroi Beratin. Ka marrë me vete në shtëpinë e re, lulet e qytetit dhe dashurinë e njerëzve që deshi dhe e deshën për të mos e harruar kurrë.
Ai është edhe pikënisja e këtij muzeu. Simon Vrusho, mësuesi beratas e nisi për nder të doktor Mathatisë. Nga kurioziteti për një njeri aq unik si Mathatia që shpëtonte jetë me përkushtim, beratasi Vrusho nisi kërkimet për hebrenjtë e Beratit.
Në muze gjen dhe historinë e Sarës, e ardhur nga Janina në moshën 13-vjeçare. Sarën e strehoi një myfti i Beratit, kishte 3 vajza, e bëri të katërtën. E rriti, e martoi vetë, sikur ta kishte vajzën e tij.
Të gjitha këto histori, janë të dokumentuara, nuk janë fjalë. Beratasit që kishin ndihmuar dhe strehuar hebrenj i dorëzonin Simonit dokumente, prova që ta vërtetonin këtë gjë.
Tashmë nuk ka mbetur asnjë hebre në Berat, ata u larguan pas 90-ës. Ikën në Izrael, në atë Izrael që Simon Vrioni donte kaq shumë ta vizitonte, por që sëmundja nuk ia la ta realizonte ëndrrën.
Simoni u nda nga jeta një vit pasi hapi muzeun, dhe kjo trashëgimi i mbeti në dorë, gruas së tij Angjelinës.
Angjelina thotë për dritare.net se, i shoqi ia la amanet muzeun para se të vdiste. Dhe amaneti i tij është realizuar më së miri. “Muzeu është bërë më mirë seç ishte.”, tregon Angjelina.
E pyetur se përse Simoni e kishte kaq merak çështjen e hebrenjve, pse e bëri gjithë këtë punë, Angjelina thotë se, ai e dashuronte punën që kishte bërë, dhe ajo dashuri nuk u shua, derisa iku nga kjo botë.
Simoni nuk e vizitoi dot Izraelin, por ka ardhur Izraeli në Berat.
Shumë izraelitë e vizitojnë këtë muze, dhe numri i tyre shtohet çdo ditë.
Angjelina shprehet se, pasi vdiq Simoni nuk dinte se çfarë të bënte me muzeun, pasi kishin nevojë për mirëmbajtje, por ajo nuk mundej. Nuk dinte ç’të bënte se burri i kishte lënë amanet. Por pikërisht në këtë kohë shfaqet Gazmend Toska, biznesmen dhe humanist beratas, i larguar në Francë pas 83-shit.
Toska thotë për dritare.net: “Unë e mësova largimin e Simonit nga jeta disa ditë pasi ndodhi. E kuptova që muzeu fillestar që Simoni e kishte bërë me një punë gjigante mbi 20-vjeçare, mund të mbyllej pasi duheshin mjete financiare. Kërkova të takoj të venë e tij, e cila doli një mikeshë, pasi kemi qenë në të njëjtën lagje në fëmijëri. I propozova që fondacioni im në aktivitetet e tij të vendosë edhe muzeun "Solomoni" dhe kështu arritëm të zgjidhim problemet financiare të këtij muzeu dhe ta realizojmë instalimin në lokale të reja që janë shumë interesante.”
Sa i përket ardhmërisë së muzeut, Gazmendi na tregon për planet dhe projektet e tij.
“Ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë muzeun me mjetet më moderne, të shpjegimit të kësaj historie shumë të veçantë dhe të pasur që kemi ne si shqiptarë dhe Berati në veçanti. Duke i dhënë rëndësi, një organizimi që është më profesional në kuadrin e vënies së guidave dhe jam i bindur që ky muze do të vazhdojë për një kohë të gjatë dhe do të jetë tërheqës për njerëzit e gjithë botës.”, përfundon Gazmendi.
Tani muzeu i hebrenjve ka një shtëpi të re në Berat. Ajo është shtëpia e zemrës së bardhë të qytetit. Që dëshmon të shkuarën dhe dashurinë për njeriun, dashurinë pa kushte të qytetit të një mbi një dritareve dhe 1001 historive. Kur të shkosh në Berat, mos mungo ta vizitosh!/ dritare.net

















