Mish i huaj në hundë, shkaqet, simptomat dhe faktorët e rrezikut
Dritare.net
Polipet nazale rriten në indin e inflamuar të mukozës së hundës. Mukoza është një shtresë e lagësht e cila mbron shtresat më të thella të hundës dhe sinusit, si dhe i jep lagështirë ajrit gjate frymëmarrjes.
Polipet nazale janë masa të buta, që nuk dhëmbin, prandaj, nëse janë të vogla, nuk duhet të shqetësoheni për to. Ndërsa rritja e shumëfishtë e tyre apo një polip nazal më i madh mund të bllokojë rrugët nazale dhe sinuset.
Shenjat e zakonshme të sinusitit kronik me polipe nazale janë:
- Skuqje të hundës
- Zagushi e vazhdueshme
- Rrjedhje hundësh
- Probleme me shqisën e të nuhaturit
- Mungesë të sensit të shijes
- Dhimbje koke ose në fytyrë
- Dhimbje në pjesën e sipërme të dhëmbëve
- Një ndjesi presioni në ballë dhe fytyrë
- Gërhitje
Kur duhet të shkoni tek mjeku:
Kontrollohuni nëse këto simptoma zgjasin më shumë se 10 ditë. Simptomat e sinusiti kronik dhe polipeve nazale janë të ngjashme me disa sëmundje të tjera, përfshirë edhe ftohjen e zakonshme.
Kërkoni kujdes mjekësor të menjëhershëm nëse përjetoni:
- Probleme serioze me frymëmarrjen
- Përkeqësim të papritur të simptomave
- Probleme me shikimin apo lëvizje me vështirësi të syve
- Ënjtje të shumta përreth syve
- Dhimbje të shumta koke të shoqëruara me temperaturë të lartë
Shkaqet
Shkencëtarët nuk janë plotësisht të qartë se çfarë mund t’i shkaktojë polipet nazale; përse tek disa njerëz zhvillohet inflamacioni kronik dhe pse inflamacioni shkakton formimin e polipeve tek disa njerëz dhe tek të tjerët jo. Inflamacioni shfaqet në pjesën e brendshme të hundës dhe sinuseve (membranën e mukozës) që prodhon fluide. Ka disa të dhëna që tregojnë se njerëzit që zhvillojnë polipe kanë reagim të ndryshëm ndaj sistemit imunitar dhe shënjues të ndryshëm kimikë në membranën e mukozës në krahasim me ata që nuk zhvillojnë polipe.
Polipet nazale mund të formohen në çdo moshë, megjithatë janë më të zakonshëm tek të rinjtë dhe tek moshat e mesme.
Faktorët e rrezikut
Çdo gjendje që shkakton inflamacion kronik në rrugët nazale ose sinuset, si infeksionet apo alergjitë, mund të rrisin rrezikun për zhvillimin e polipeve nazale. Këto gjendje janë:
Astma, një sëmundje që shkakton inflamacion në rrugët e frymëmarrjes.
Ndjeshmëria ndaj aspirinës mund t’u shkaktojë disa njerëzve zhvillim të polipeve nazale.
Sinusitet alergjike fungale, një alergji në rrugët e frymëmarrjes
Fibroza cistike, një çrregullim gjenetik që çon në prodhimin dhe sekrecionin e fluideve ngjitëse, si mukusi nga membranat nazale dhe sinusi.
Sindroma Churg-Strauss – një sëmundje e rrallë që shkakton inflamacion të enëve të gjakut.
Historia familjare gjithashtu mund të luajë një rol në zhvillimin e polipeve nazale (mish i huaj në hundë)./shendeti