Lidership etik/ Mendo, fol dhe vepro njëlloj!
Dritare.net
Studiuesit kanë arritur në përfundimin se pjesa më e madhe e njerëzve besojnë se janë më etikë se mesatarja e atyre që i rrethojnë . Në fakt, realiteti tregon se shumë herë e rëndësishme nuk është vetëm çfarë ne mendojmë për veten, por edhe çka të tjerët shohin tek ne.
Liderët nuk bëjnë përjashtim nga ky gjykim. Është një fakt i pakontestueshëm që etika e një lideri e merr vlerësimin vetëm nga opinioni i ndjekësve.
Lideri, më shumë se kushdo, prodhon atë çka ai vetë përfaqëson në sytë e ndjekësve. Ky raport sjell atë që quhet reputacion. Lideri udhëheq përmes reputacionit të tij. Reputacioni i lartë tek një lider nuk është gjë tjetër vetëm se një fjalë ndryshe për të përshkruar liderin me etikë të lartë. Një lider etik do prodhojë një organizatë, shoqëri, apo ndjekës po të tillë.
Etika është vetë shpirti i lidershipit, thotë Joanne Ciulla në librin e saj me të njëjtin titull .
Kjo shprehje është bërë tashmë klasike në studimet mbi lidershipin.
Po ku dhe si shfaqet etika në lidership? Cili lider meriton të quhet me etikë të lartë e cili jo? Cila është pika vendimtare që e ndan liderin etik nga ai jo i tillë?
Ka shumë faktorë dhe cilësi që përcaktojnë fatin e një lideri, por vetëm njëri jep veton finale dhe ky është vendimi, apo vendimet e ndërmarra. Proverbi popullor, “Veprat flasin më fortë” mbetet aktual edhe kur flasim për lidershipin. “Lidershipi është veprim”. Kjo do të thotë se ndjekësit harrojnë shpejt atë çka lideri tha, por ata nuk harrojnë kurrë atë që lideri bëri.
Përkufizimi kyç që ndan liderin nga jo lideri është: “Që të jesh lider duhet të kesh ndjekës”. Lider pa ndjekës nuk ka dhe nuk mund të ketë.
Shumë figura që ne mund të mos duam t’i numërojmë si liderë kanë qenë të tillë, pasi ata kanë pasur mijëra ndjekës që i kanë frymëzuar dhe drejtuar. Por nëse je lider etik, apo jo, për këtë vlerësimin e japin të tjerë faktorë. Për t’u bërë më konkretë, le të krahasojmë Gandin me Hitlerin. Ata të dy arritën të frymëzojnë mijëra ndjekës. Por ndërsa Gandi arriti të marrë vendime etike që rezultuan progresiste, Hitleri bëri krejt të kundërtën. Pra për të dy liderët notën finale nuk e dha forca e frymëzimit tek ndjekësit, por e dhanë veprimet e tyre etike.
Por ç’do të thotë të veprosh etikisht? Mes shumë e shumë përcaktimeve rreth kësaj dileme, shprehja e Gandit mbetet më universalja. Sipas tij: “Të jesh etikisht i arrirë do të thotë të mendosh, të thuash dhe të veprosh njëlloj”. Kjo frazë në detaj përmbledh të gjithë sintezën e qenies me etikë të lartë. Pikë së pari, ky përcaktim rrëfen se individi që mendon dhe flet njëlloj është i kthjellët, i pastër dhe i vërtetë me veten. Çdo ndershmëri fillon së pari nga vetja. Çdo etikë gjithashtu. Vetëm një njeri që është i sinqertë me veten e tij mund të jetë me të tjerët e mund ta kërkojë këtë tek të tjerët.
Ndërkohë, të veprosh realisht atë çka ke menduar dhe thënë do të thotë të kesh një integritet dhe moral të lartë personal si dhe kjo padyshim rrëfen për një karakter të fortë e guxim human tepër të arrirë.
Kontradikta më e madhe ku kalojnë shumë njerëz është pasja, apo jo e forcës humane brenda vetes për të thënë hapur mendimet, apo edhe për të hedhur hapin e madh, për të kthyer në akt atë çka mendojnë. Në fakt një lider etik, sikur një individ etik, duhet medoemos t’i kalojë të tri fazat ku e para duhet të jetë e sinqertë dhe besnike ndaj të dytës e dy të parat ndaj finales së tretë. Sikur vetëm njëra të ketë çarje, etika humbet e përdhoset.
Kjo vijë e pandërprerë dhe në unison e asaj që mendon, thua dhe vepron njëlloj, është në fakt shkalla më e lartë e etikës. Pas kësaj analize arrijmë në përfundimin se mund të konsiderohet me etikë të lartë ai lider që nuk tradhton asnjërën prej këtyre tri hapave Gandeske që do t’i quanim ndryshe trekëndëshi Gandesk i virtytit etik. Tradhtia, qoftë edhe e njërës pikë, humbet balancën në trekëndësh dhe e deformon të tërën.
Sinqeriteti i liderit dhe etika e tij fillon në fakt tek mendimi si i tillë. Dhe mendimi nuk është as më shumë dhe as më pak vetëm se shfaqja e moralit personal të liderit si të tillë. Mendimet e mira vijnë vetëm nga një karakter i mirë, ndërkohë që thënia hapur e mendimeve është sërish rezultat i një karakteri të fortë që shfaq kurajë morale. Kjo e bën liderin transparent në sy të ndjekësve.
Kuptohet se jo çdo vendim i moralshëm për një grup social është i tillë për një grup tjetër, apo një vendim i drejtë në një kohë mbetet i tillë, në një kohë tjetër, apo nga një kulturë në një tjetër. Megjithatë, historia ka rrëfyer se vendimet etike i kanë rezistuar të gjitha kohëve. Vendimi etik mund e jetë guximtar për momentin, por me siguri ai është hapi i madh i një epoke të re që do të sjellë progres. Martin Luther King është një shembull klasik për këtë.
Natyrshëm tani lind pyetja se, ç’e shtyn një lider të marrë vendime etike?
Vendimi etik është vendimi i ndershëm; është ai që rrëfen transparencë dhe vërtetësi. Ndershmëria si virtyt është pjesë e moralit dhe karakterit të individit. Sikur Aristoteli thoshte: “Ne jemi ajo që ne përsërisim së bëri çdo ditë”. Kjo do të thotë se nëse ne e kthejmë në zakon ndershmërinë ajo do na kthehet në karakter e ky i fundit na drejton në çdo hap. Nuk është rastësi që të gjithë studimet e lidershipit na çojnë në konkluzionin që lider i shkëlqyer është ai që ka karakter të shkëlqyer, pasi lideri me karakter të shkëlqyer do të marrë vendime etike dhe këto vendime janë të vetmet që i çojnë ndjekësit në progres.
Pennino, në vitin 2002, kreu një studim për marrëdhënien midis vendimmarrjes dhe moralit të liderit. Deri në atë kohë shkollat e lidershipit nuk kishin një rezultat për këtë marrëdhënie. Ai arriti të studiojë vendimmarrjet e 270 drejtuesve në disa kompani amerikane dhe doli në konkluzionin se sa më etik të jetë lideri, aq më tepër vendime të drejta dhe afatgjata është në gjendje të marrë ai.
Ndërkohë që shumë studiues i ka grishur kureshtja të njohin nëse faktorë të tjerë të jashtëm kanë efekt në vendimet etike, apo jo të liderit dhe për këtë kanë shtruar hipoteza të tilla si dhe sa ndikon stresi në vendim, apo sa ndikojnë interesat personale të liderit, apo situatat jo të qarta në të cilat ai mund të përballet. Ndonëse këta faktorë janë parë si ndikues, rezultatet e studimeve kanë rrëfyer se efektet e tyre në vendimmarrje kanë qenë gjithmonë anësore. Në fund notën finale e ka dhënë morali i liderit dhe karakteri i tij. Pra shtysa e vetme që e ben një lider të marrë vendime etike, është as më shumë dhe as më pak, vetëm se morali dhe karakteri i tij i lartë. Ndaj për ta mbyllur mund të themi se nëse etika është shpirti i lidershipit, morali dhe karakteri i liderit, i bie të jenë shpirti i etikës./dritare.net
*Iris Halili jeton në Miami, Florida dhe ka përfunduar shkollën e doktoraturës në USA për “Edukim në Lidership dhe Zhvillim Organizatash”. Ky artikull botohet për herë të parë në dritare.net dhe është pjesë e librit “Për Lidershipin” që autorja do ta sjellë së shpejti pranë lexuesit shqiptar