
Emri/ Prokuroria sekuestron 200 mijë euro pasuri, në llogari të bosit të drogës!
Dritare.net

Prokuroria e Elbasanit ka sekuestruar pronat e një të riu të dënuar me burg në Britani për trafik droge.
Mësohet se pasuritë e sekuestruara janë në pronësi të 28-vjeçarit, Leonard Coga i cili është dënuar me 3 vite burg për “shtëpi bari” pasi prokuroria pretendon se këto të fundit janë fituar nga burime kriminale.
Pronat e sekuestruara janë 2 garazhe dhe një apartament, të cilat kapin vlerën prej 200 mijë eurosh.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, në kuadër të procedimit penal nr.713, viti 2023 për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit L.C, ka kërkuar vendosjen e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi pasuritë e paluajtshme:
1. Pasuria me nr.26/198-G.5, e llojit “Garazh”, zk.8525, Elbasan;
2. Pasuria me nr.26/198-G.6, e llojit “Garazh”, zk.8525, Elbasan; dhe
3. Pasuria me nr.26/198+1-26, e llojit “apartament”, zk.8525, Elbasan
Nga hetimet ka rezultuar se: Personi nën hetim ka kryer aktivitet kriminal, (shtëpi bari) në Mbreterinë e Bashkuar, për të cilën është arrestuar dhe dënuar nga autoritetet angleze. Personi nën hetim dhe personat e afërt me të, gjatë dhe pas kohës së kryerjes së veprimtarisë, kanë investuar në fitimin e disa pasurive të paluajtshme të cilat dyshohen se kanë si burim të ardhurat nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasit L.C. Pasuritë e konstatuara janë dukshëm të pajustikuara nga të ardhurat e ligjshme të personave të lidhur të personit nën hetim L.C”, njofton prokuroria./M.K-dritare.net

















