Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Dënohet me 1 vit burg ish-kryeministri i Kosovës Agim Çeku

Dënohet me 1 vit burg ish-kryeministri i Kosovës Agim Çeku

Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me nga një vit burgim ish-kryeministrin Agim Çeku dhe 9 të akuzuarit: Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, në rastin “Veteranët”. Kurse, u liruan nga akuza Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj.


Në gjykimin e kaluar, Themelorja kishte shpallur aktgjykim lirues për gjithë të akuzuarit.

Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzoheshin ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri. Anëtarë të trupit gjykues ishin gjykatësit Kushtrim Shyti dhe Ngadhnjim Arrni.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit janë fajtorë për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i Kodit Penal, andaj secili veç e veç dënohen me nga 1 vit burgim.

Gjykatësi Bahtiri tha se Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj lirohen nga akuza pasi nuk kanë pasur cilësinë e personit zyrtar.

Gjykatësi tha se pas administrimit të provave personale dhe materiale, përtej dyshimit të bazuar mirë është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale. Kurse, për Lushtakun dhe Elezajn, Gjykata gjeti se nuk janë fajtorë pasi nuk e kanë pasur cilësinë e personit zyrtar.

Bahtiri shtoi se Gjykata nuk ka mundur të identifikojë secilin veç e veç prej 19 mijë e 500 aplikacioneve për statusin e veteranti, andaj vlerëson se duhet të shqyrtohet procedura përkatëse pastaj të merret vendim se a gëzon statusin e veteranit apo jo.

Prezent në shpallje ishin prokurori special Valdet Gashi dhe i akuzuari Sadik Halitjaha.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues më 19 janar 2021.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkoheshin me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro. /BetimipërDrejtësi