
Ju njohim me Migretën, logopeden nga Vlora që shkëlqen në Norvegji!
Dritare.net

Nga Kadrije Çako Shqiptarë të mrekullueshëm në botë ka shumë dhe arritjet e tyre na bëjnë krenarë. Kjo është edhe arsyeja pse ne zgjedhim të tregojmë histori të bukura, frymëzuese, që
japin shpresë. Sot do t’ju njohim me Migreta Dervishin, logopeden nga Vlora që po shkëlqen në Norvegji. Migreta është 28 vjeçe, prej 7 vjetësh jeton dhe punon në Norvegji. Në 2009-ën, Migreta fitoi studimet e larta në Tiranë për
“Punë Sociale”, te Fakulteti i Shkencave Sociale. Ishte dega e parë që kishte hedhur, e donte dhe e përfundoi me rezultate të larta. Në vitin e fundit të studimeve, u prezantua në fakultet një projekt me bursë të plotë për studime në Norvegji. Nga të gjitha aplikantët, Norvegjia do të përzgjidhte vetëm 4 fitues. Dhe Migreta ishte njëra prej tyre. “Nuk e kisha menduar asnjëherë që do të ikja nga Shqipëria dhe gjithçka ishte e paplanifikuar. Bursa e studimit ishte 4-vjeçare, ku
9 muaj përfshinte mësimin e gjuhës dhe 3 vjet bachelor në «Occupational Therapy» . Bachelor-i ishte në norvegjisht që ishte një gjuhë krejt e re për mua. Në fillim isha skeptike në qoftë se do t’ia dilja të mësoja një gjuhë të re, të kaloja gjithë nivelet e gjuhës dhe të studioja në norvegjisht. Por ia dola dhe fillova direkt universitetin.”,- shprehet Migreta. Migreta nuk e gjeti fushë me lule kur shkoi në Stavanger, të Norvegjisë. 3 vjetët e para për të ishin sfiduese,
pasi gjuhën nuk e dinte, njerëzit ishin të ftohtë dhe nuk tregonin interes. Ndërsa e pyes se cilat ishin sfidat që iu desh të kalonte kur ishte në Stavanger, Migreta më thotë: “Njëkohësisht kur nisa universitetin fillova të punoj në një spital. Pavarësisht se unë merrja bursë të plotë, Norvegjia është një vend i shtrenjtë dhe është një avantazh të punosh. Një tjetër sfidë ka qenë moti shumë i ftohtë dhe shiu që mund të bjerë me muaj pa pushim. Mungesa e familjes dhe njerëzve ishte sfiduese. Për të ardhur në Shqipëri duhet të ndërroj 3 avionë. Përveç kësaj kultura norvegjeze është shumë e ftohtë dhe ndryshe nga ajo shqiptare. Kujtimet më të këqija i kam kur më është dashur të jem krejt e vetme, p.sh në natën e Krishtlindjeve apo Vitit te Ri.” E pavarësisht sfidave, Migreta ia doli. Arriti të diplomohet në degën Occupational Therapy. Më shumë se 50% të notave i mori A dhe mesataren
e kishte mbi B. Mbarimi i bachelorit do të thoshte se bursa 4-vjeçare e studimit do të përfundonte gjithashtu. Migreta ose duhej të gjente punë ose të vazhdonte sërish studimet.
Ajo më tregon se, aplikoi për master në degën e Logopedisë, në Fakultetin e Mjekësisë në Bergen të Norvegjisë. “Aty kishte 180 aplikantë që i plotësonin kriteret dhe vetëm 20 u përzgjodhën. Unë isha njëra prej fituesve.”,- thotë ajo. Tashmë për Migretën nis një aventurë e re, në Bergen. Ndërsa në Stavanger
jetonte me 4 vajza shqiptare, në Bergen do
të ishte krejt e vetme. Mbështetje financiare nga shteti nuk kishte dhe përveç studimeve, duhej edhe të punonte. “U zhvendosa krejt e vetme në Bergen një qytet akoma më i madh, ku nuk njihja asnjë njeri. Fillova masterin për Logopedi dhe njëkohësisht edhe një punë, pasi vitet me bursë përfunduan dhe nuk kisha asnjë mbështetje financiare.”,- tregon Migreta. Me rezultate të larta e përfundoi edhe masterin në
korrik të 2018-ës. Ndërsa në gusht, fillon punë si këshilluese pedagogjike dhe psikologjike, në Komunën Os,
në Shërbimin Pedagogjik Psikologjik të Shtetit. “Aplikuan 8 norvegjezë dhe unë, por arrita ta fitoj vendin e punës. Prej 2018-ës vazhdoj akoma të punoj në këtë vend pune ku jam shumë e kënaqur. Unë isha personi me moshën me të vogël në një pozicion kaq të lartë në vendin tim të punës.”,- thotë Migreta. Pyetjes, nëse mendon të kthehet në Shqipëri me gjitha diplomat dhe kualifikimet në Norvegji, Migreta iu përgjigj: “Kthimi në Shqipëri nuk është fatkeqësisht në planet e mija të afërta, por do të doja që një ditë të kthehem. Gjithsesi po përpiqem të jap kontributin tim në mënyra të tjera. Aktualisht kam filluar të shkruaj një libër në shqip
për një diagnoze logopedike, për t’u ardhur në ndihmë studentëve dhe profesionistëve shqiptarë. Këtu kam mbajtur edhe kurse, dhe do të doja t’i mbaja edhe për logopedët në Shqipëri. Për këtë jam në kontakt me Shoqatën e Logopedëve Shqiptarë.” Në fund, Migreta ka dërguar një mesazh për të gjithë të rinjtë shqiptare: "Në qoftë se punoni shumë keni për t’i realizuar dëshirat tuaja, ndonjëherë edhe më shumë sesa keni
ëndërruar. Zgjidhni të bëni një profesion të cilin e keni pasion dhe mos u dekurajoni nga sfidat me të cilat do të përballeni!” Si historia e Migretës ka shumë. Nëse edhe ju doni të ndani me ne eksperiencën tuaj jashtë, arritjet tuaja dhe mesazhet frymëzuese mos hezitoni të na shkruani në email: [email protected] ose në Instagram: shqiptaretemrekullueshem./dritare.net

















