Ministri Jaupaj për investimin në Zvërnec: Do t’i nënshtrohet analizës më të thelluar mjedisore
Dritare.net

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Sofjan Jaupaj, mbrojti në Kuvend projektin e investimit në Zvërnec, duke deklaruar se qeveria mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së natyrës dhe se çdo vendimmarrje do të bazohet në evidencë shkencore. Gjatë interpelancës me deputetët e opozitës, Jaupaj hodhi poshtë pretendimet se procedurat mjedisore janë anashkaluar, duke theksuar se projekti do t’i nënshtrohet procedurës së thelluar të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), niveli më i lartë i parashikuar nga legjislacioni shqiptar.
“Askush nuk mund të vërë në dyshim angazhimin tonë për natyrën, sepse është i matshëm. Projekti do t’i nënshtrohet një analize të plotë dhe vendimmarrja do të mbështetet mbi fakte, studime dhe vlerësime profesionale”, u shpreh ministri. Jaupaj sqaroi gjithashtu se zona e Pishë-Poros, ku parashikohet investimi, është e klasifikuar si zonë e mbrojtur e kategorisë V, e cila lejon bashkëjetesën e aktivitetit ekonomik me mbrojtjen e natyrës.
Sipas tij, ligji nuk vendos ndalime absolute për zhvillimin në këto zona, por përcakton kushte të qarta për mënyrën se si projektet duhet të realizohen. Duke iu referuar kritikave për ndikimin e mundshëm në mjedis, ministri theksoi se Bashkimi Evropian nuk kërkon ndalim automatik të projekteve në zona të mbrojtura, por respektimin e Direktivës së Habitateve dhe Direktivës së Shpendëve.
“BE kërkon vlerësimin e ndikimit konkret që mund të ketë një projekt mbi habitatet dhe speciet e mbrojtura, jo ndalim automatik të zhvillimit”, deklaroi Jaupaj.
Debati për investimin në Zvërnec vijon të mbetet një nga çështjet më të diskutuara mes mazhorancës, opozitës dhe organizatave mjedisore./L.F-dritare/net