
Ja çfarë ndodh në emisionin sportiv, nr 1 në Shqipëri!
Dritare.net

Nga Dritare.net
Që prej muajit gusht në ekranin e Vizion Plus dhe Tring ka nisur “UEFA Champions League”. Një prej kompeticioneve më të rëndësishme në botën sportive.
Vizion Plus dhe platforma dixhitale Tring fituan të drejtën ekskluzive të transmetimit të eventit më spektakolar futbollistik, për tre sezone radhazi, 2015 – 2018.
Ndeshjet e “UEFA Champions League” transmetohen çdo të martë dhe mërkurë. Në orën 20:00 nis emisioni “Studio UEFA Champions League” ku diskutohet për ndeshjet, mandej pas ndeshjeve, emisioni rikthehet përsëri në 22:45, me komente për golat dhe jo vetëm.
E gjitha ndodh në ekranin e Vizion Plus dhe Tring, të cilët të martave dhe të mërkurave kanë audiencën maksimale dhe konkurrojnë çdo emision politik, show e serial televiziv.
Shikueshmëri nuk kanë vetëm ndeshjet, por edhe vetë emisoni kushtuar atyre.
Andi Nuraj, gazetari i përhershëm i Champions League, këtë sezon ka në krah një nga vajzat më të bukura të ekranit shqiptar, Eva Muratin.
Moderatorja tërhoqi gjithë audiencën që në mbrëmjet e para. Duke e bërë “Studio UEFA Champions League” të pakonkurueshëm.
Por nuk janë vetëm dy moderatëorët që pëlqehen kaq shumë, është edhe studio e re, e ngritur në ambjentet e reja të Tring, me një teknologji të avancuar dhe shumë moderne, e ngjashme me studiot e saj simotra ndërkombëtare.
Dritare.net sjell rrëfimin e njërit nga personazhet më të rëndësishëm të këitj emision, që ka qenë për vite fytyra e Champions League, Andi Nuraj.
Prej më shumë se 14 vjetësh e shohim Andin në ekranin e Vizion Plus, ku ka nisur si gazetar në lajme. Ndërkohë sot është spiker lajmesh, gazetar, moderator, komentator si edhe narrator. Andi thotë për dritare.net se për të gazetaria sportive nisi si pasion personal dhe tashmë sporti është bërë pjesë e pandashme e tij.
Moderatori i studio UEFA Champions League, në një intervistë për dritare.net tregon mbi këtë sezon të ri, moderimin me Eva Muratin si dhe surprizat që Vizion Plus dhe Tring do t’i ofrojnë shqiptarëve kudo janë në Shqipëri e botë./dritare.net
Dritare.net- Çfarë ka ndryshe ky sezon i dytë i UEFA Champions League nga viti i kaluar i transmetuar po në Tring?
Andi Nuraj- Mendoj se ky sezon i UCL është më i bukur se ai i vitit të kaluar. Ka disa skuadra që kanë shfaqur kandidaturën për titullin e këtij sezoni. Duket se po bie miti i Barcelonës, ndërsa po shijojmë spektaklin e Guardiolës me skuadrën e tij të re Manchester City. Kemi një skuadër simpatike surprizë si Monako , kemi një skuadër të pjekur si Paris Saint Germain. Pra, futbolli francez është futur me mjaft forcë këtë vit dhe po kërkon të lërë gjurmë.
Dritare.net- Në sezonin e parë keni qenë vetëm në moderimin e studio UEFA Champions League. Ndërkohë këtë vit jeni i shoqëruar. Si është të moderosh me Eva Muratin?
Kur je vetëm në moderim përgjegjësia është shumë e madhe, jo se tani nuk është. Por duhet të kontrollosh kohën, pyetjet, ndjek bisedën, batutat, në momentin që ajo ulet për shikueshmërine, ti mendon të gjesh një zgjidhje për të rikthyer shikuesin. Eva nuk kishte punuar kurrë me sportin. Por kishte shumë avantazhe. Është e zgjuar, e shkathët, pa komplekse, kupton batutën, di të dalë nga situatat, është serioze aty ku duhet dhe ka një buzëqeshje shumë të ëmbël.
Dritare.net- Pra, Eva Murati ishte zgjedhja e duhur?
Vendosëm të marrim një kolege femer për ta thyer atë ashpërsinë e debateve e tavolinave mashkullore. Një ëmbëlsi femërore zbut çdo gjë: debatin e egër, teleshikuesin tifoz që nuk është i kënaqur nga asgjë; jo vetëm nga humbja e skuadrës së tij të zemrës por edhe mënyra se si analizohet humbja apo një fitore. Në fund të fundit më zbut dhe mua që ta marr me shumë qetësi dhe dashuri këtë emision, edhe pse kjo e fundit kurrë nuk më ka munguar për turneun më prestigjioz të futbollit.
Dritare.net- Ju jeni vendosur në ambiente e Tringut me skenografi shumë të veçantë, e cila e fton shikuesin në një tryezë të rrumbullakët. Është një gjetje shumë e veçantë e gjithë skena juaj e re.
Po ne jemi vendosur në studiot e Tring me një skenografi, që dhe ata të Sky apo Mediaset në Itali do të ishin bërë xhelozë. Tavolina e rrumbullakët është një bisedë më e ngrohtë mes moderatorëve e analistëve, ku çdo njëri ndjehet i barabartë. Është pikërisht kjo frymë që mundohet t’i përcillet publikut, që për një moment ta ndjejë veten në atë tavolinë. Pastaj elementi femër është pritur shumë mirë, plus e kemi zgjeruar në 4 numrin e analistëve me ardhjen e një avokati mjaft simpatik që e do futbollin por nuk ka qenë pjesë e këtij sporti. Gjuha e tij e saktë profesionalisht dhe batuta fine i kane dhënë mjaft bukuri emisionit
Dritare.net- Sa të lidhur janë shqiptarët me sportin, sa e ndjekin ata futbollin?
Përpara disa viteve ne kemi transmetuar për dy sezone Champions League në Tring dhe Vizion Plus e më pas vazhduam tre vjet UEFA Europa League. Ky është sezoni i 7 sportiv me të tilla evente. Në këto 7 vite shikoj një rritje të jashtëzakonshme interesi për sportin. Shqiptarët janë aq të lidhur me sportin sa nuk tolerojnë asgjë, as në analiza, komente të një ndeshje deri në emrin e një lojtari. Jam shumë i lumtur që përveç komenteve pozitive kam marrë dhe vërejtje, këshilla nga njerez të panjohur por që kanë patur sensin pozitiv për të më kujtuar apo ndihmuar.
Dritare.net- Çfarë surprizash keni menduar për t’i ofruar shqiptarëve , për t’i marrë ju, të martat dhe mërkurat e tyre?
Surpriza më e madhe që u kemi ofruar shqiptarëve është turneu më i rëndësishëm i planetit UEFA Champions League, ai turne ku gjithë të tjerët duken si garniturë përpara kësaj pjate./ dritare.net

















